(02.05.2008 RV)Organizatorët e DBR-së 2008 të Sidneit, dhanë njoftimin mbi
temat dhe fragmentet e Shkrimit Shenjt për ditët kur do të mbahet katekizmi ose mësimi
i besimit. Katekizmin do ta mbajnë ipeshkvij nga mbarë bota, në 300 kishat dhe
selitë e tjera katolike të Sidneit, duke filluar nga 16 deri më 18 korrik. Tema
kryesore e këtij katekizmi triditor, “Shpirti Shenjt e Misioni”, do të zhvillohet
në disa faza: Të mërkurën, më 16 korrik, do të mbahet katekizmi me temë
“Të thirrur për të jetuar në Shpirtin Shenjt”. Fragmentet e Shkrimit Shenjt
janë: “Në se jetojmë nën ndikimin e Shpirtit Shenjt, të udhëhiqemi edhe nën drejtimin
e Shpirtit Shenjt” - nga letra e Shën Palit drejtuar Galatasve (Gal 5. 25) Leximet
për Meshën: nga Veprat e Apostujve (Vap.1, 6-14) e nga Ungjilli sipas
Lukës (Lk.24, 44-49). Të enjten, 17 korrik: tema e katekizmit:
“Shpirti Shenjt, shpirt i Kishës”. Fragmentet e Shkrimit Shenjt janë: “Në
të vërtetë, të gjithë jemi pagëzuar në një Shpirt të vetëm, për të formuar një trup
të vetëm, e të gjithë kemi shuar etjen në të njëjtin Shpirt Shenjt”(1 Kor
12,13). Leximet për Meshën: nga Letra e parë e Shën Palit Apostull drejtuar
Korintianëve (1 Kor 12, 4- 13) e nga Ungjilli sipas Mateut (Mt. 16,
13-19). Të premten, 18 korrik: tema e katekizmit: “Por ju do të merrni
fuqinë e Shpirtit Shenjt, i cili do të zbresë në ju dhe ju do të bëheni dëshmitarët
e mi”- (Vap. 1,8) Leximet për Meshën: nga Letra e parë e Shën Palit Apostull
drejtuar Korintianëve (1 Kor 9,16-19) e nga Ungjilli sipas Mateut (Mt. 28,
16-20). Fragmenti i Shkrimit Shenjt i së premtes, është edhe tema e DBR-së
2008. Katekizmi është zemra e DBR-së. Përmes tij të rinjtë me histori e përvoja
të ndryshme, mblidhen për të dëgjuar, për të reflektuar, për të diskutuar e për t’u
lutur në harmoni”- deklaroi ipeshkvi Entoni Fisher, koordinator i DBR-së 2008. E
më pas shtoi: “Të gjithë shtegtarët, që do të marrin pjesë në DBR08, duhet të nisin
që tani reflektimin mbi temat e katekizmit, në mënyrë që në korrik të jenë të përgatitur
për të qenë dëshmitarë të Shpirt Shenjt e të mund të përfitojnë sa më shumë nga përvoja
e DBR-së.Temat e katekizmit dhe leximet për çdo Meshë u caktuan nga Këshilli Papnor
për Laikët, organ i Vatikanit, që mbikqyr përgatitjen e Ditëve Botërore të Rinisë. E
organizuar nga Kisha katolike, Dita Botërore e Rinisë, i fton të gjithë të rinjtë
e botës të marrin pjesë në javën e jashtëzakonshme rinore, që do të kremtohet në Sidnei
të Australisë më 15 deri më 20 korrikun e ardhshëm.