2008-05-02 18:07:57

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës.


(02.05.2008 RV)RealAudioMP3 2 maj: Epopeja e jashtëzakonshme e murgut mongol, Raban Sauma
Si? Një rregulltar mongol do të kremtojë Meshën para Papës?”.
“Të siguroj se është pikërisht kështu. Lajmi ka marrë dhenë në mbarë Romën”.
“Po si u bë rregulltar ky mongoli?”.
“S’e kam idenë fare. Për ta marrë vesh, duhet të shkojmë e ta shohim”.
“Po nuk do të jetë e rrezikshme?”.
Jemi në vitin 1287 e të krishterët e Romës çuditen pa masë, kur dëgjojnë të flitet për Raban Saumën, një rregulltar që ka ardhur në këmbë nga skaji tjetër i botës, për të parë Papën. Në atë kohë një frat mongol shikohej si të kishte ardhur nga ndonjë planet tjetër. Qyteti ku ka lindur, Khanbaliqi, kryeqyteti i sotëm i Kinës, Pekini, duket si kryeqytet i një bote tjetër.
Mesha e Raban Saumës ka një sukses të madh: kureshtarët vrapojnë në masë për ta ndjekur.
“Nuk është e mundur, xhanëm, që një mongol ta thotë Meshën si duhet” – pëshpërisin njerëzia. Por, duan s’duan, Mesha është pikërisht ashtu si duhet të jetë. E sytë në formën e bajames të Raban Saumës shkëlqejnë nga gëzimi. Mendon për rrugën e gjatë që i është dashur të bëjë, për të arritur deri këtu: së bashku me mikun e tij, Markus, përshkoi malet e fushat e vendit të tij të largët. U ndaluan në Babiloni, në Bagdadin e sotëm, ku Markus u emërua kryetar i të gjithë të krishterëve. Ndërsa Raban Sauma u caktua ambasador i mbretit të Bagdadit, që dëshironte të përfaqësohej në Evropë. Kështu Raban Saumës iu desh të nisej rishtas, vetëm, drejt Romës, për t’u takuar me Papën. Por kur arriti… ç’zhgënjim. Mori vesh menjëherë se Papa Onori IV kishte vdekur. E ç’do të bëhej tani me misionin e tij?
Në pritje që të zgjidhet një papë i ri, Raban Sauma vendos të niset për në Paris e të takohet me mbretin e Francës, Filipin e Bukur. Pastaj, përsëri në Romë, ku Papa i ri, Nikolla IV e pret me përzemërsi të madhe.
E sot, Raban Sauma, si ka përfunduar Meshën, e ndjen veten thellësisht të lumtur. Jo vetëm pse, si shtegtar i madh, kureshtar e guximtar, përshkoi një botë të tërë, për të parë si ishte Evropa, por kryesisht sepse takimi i tij me Papën bashkoi të krishterët që nuk njiheshin. Natyrisht të krishterët evropianë mbetën të ndryshëm nga ata që jetojnë në kufijtë më të skajshëm të Azisë e do të jetë e vështirë të ruhen lidhjet, kur Raban Sauma të rikthehet në shtëpinë e vet, por rregulltari mongol është tejet i kënaqur që u bë mjet i përvujtë bashkimi ndërmjet katolikëve të dy botëve të ndryshme… të cilët megjithatë, besojnë në një Zot të vetëm.







All the contents on this site are copyrighted ©.