Muajin maj Kisha ia kushton nderimit të figurës së Zojës së Bekuar
(01.05.2008 RV)Filloi sot muaji
i majit e, kur thuhet maj, mendja të shkon menjëherë te Zoja e Bekuar. Maji është
muaji që i kushtohet Zojës, është koha e bashkimit më të ngushtë me Nënën e ne të
gjithëve, e cila na prin tek Jezusi. Muaji i majit, vetvetiu, i është kushtuar
Zojës, sepse është muaji i bukurisë, muaji i shpërthimit të jetës e asnjë krijesë
nuk është më e bukur se Maria; asnjë krijesë nuk i ka kënduar jetës si Maria. Prandaj
muaji i majit është muaj marian.
Po, cilat janë elementet kryesore të muajit
marian?
- Besoj se çasti më i rëndësishëm i muajit maj duhet të jetë ai i rizbulimit
të lutjes mariane e posaçërisht i thënies së Rruzares në shtëpi, në gjirin e familjes.
Mund të themi se dikur Rruzarja ishte një element i domosdoshëm për jetën e përditshme
të familjes së krishterë. Familja e krishterë shqiptare e ka traditë të mblidhet
çdo mbrëmje për të thënë Rruzaren Shenjte. Kur nuk kishte televizor, madje as dritë;
gjithsesi nën dritën e kandilit (që ndizet shpesh herë edhe sot) familja ndjehej
mrekullisht e lume. Sa binte muzgu, këmbanat e Kishës këndonin Ave Marinë, e familjet
ishin përplot me Zotin, në sa luteshin së bashku me Zojën e Bekuar. Ç’ i pengon të
mblidhen edhe sot e ta thonë së bashku Rruzaren? E me që sot çdo familje ka edhe televizor,
mund të lutet bashkë me Papën. Kujtojmë se të shtunën e ardhshme, më 3 maj, Benedikti
XVI do t’i prijë Rruzares së besimtarëve nga bazilika më e vjetër e krishtërimit kushtuar
Zojës së Bekuar: ajo e Shën Marisë së Madhe. Kujtojmë se Rruzarja me Papën mund të
thuhet edhe duke përdorur videot, që tashmë mund të gjinden kudo.
- Ç’ këshill
i jepni dëgjuesve shqiptarë për ta thënë sa më mirë Rruzaren Shenjte?
- Për
ta thënë mirë Rruzaren është e nevojshme që në shtëpi të ndjehet atmosfera e lutjes.
Lutja nuk vjen vetvetiu. Në se në shtëpi ndjehet fryma e fesë, është e lehtë të krijohen
kushtet e nevojshme për të thënë me gjithë zemër Ruzaren. Para së gjithash duhet që
të mblidhen të gjithë së bashku, babai, nëna, bijtë e bijat e në se janë, edhe gjyshi
e gjyshja, sepse Rruzarja është e bukur, kur e thotë gjithë familja së bashku, kur
luten të gjithë një zëri. Duke thënë së bashku Rruzaren, ndjehet zëri i popullit të
Zotit, familja bëhet një gjë e vetme me të, ndjen misterin e Jezusit të pranishën
në mes të atyre që janë mbledhur në emër të Tij.
Si lind devocioni për Zojën
e Bekuar?
Devocioni për Zojën e Bekuar lind nga vetë historia e shëlbimit,
është vepër e vetë Zotit. Shën Luka ungjilltar i paraprin tregimit mbi Lajmërimin
e Zojës me disa fjalë, që kanë një kuptim jashtëzakonisht vendimtar. Thotë Ungjilltari:
“Engjëlli Gabriel qe dërguar nga Zoti në një qytet të Galilesë, të quajtur Nazareth,
tek një virgjër me emrin Mari”. Kjo shtesë ka rëndësi vendimtare: na tregon se është
Zoti ai që e dërgoi Engjëllin. Prej këndej, edhe se është Zoti ai që e zgjodhi Marinë.
Ishte Zoti ai që trokiste te porta e zemrës së Marisë; kjo portë u hap dy kanatash
përpara Hyjit e që atë ças Maria u bë bashkëpunëtorja më e madhe në planin e shëlbimit.
Maria është vazhdimsht pranë Jezusit, nuk ndahet kurrë nga ai. Në se ndahet Biri
nga Nëna ose Nëna nga Biri, bëhet diçka që është kundër zgjedhjes së Zotit. Prandaj
themi se Maria na merr për dore e na çon te Krishti.