Festa e 1 Majit, apo
dita ndërkombëtare e punëtorëve lindi nga lufta botërore e punëtorëve për të afirmuar
të drejtat e tyre e për të përmirësuar kushtet e jetesës. Pavarësisht se kremtimi
i saj lidhet ngushtë me protestën e punëtorëve të Çikagos, përfunduar me gjak, historia
e festës së punëtorëve fillon më herët se sa viti 1886. “8 orë punë, 8 orë dëfrim
e 8 orë gjumë”, kjo ishte parrulla e hedhur për herë të parë në Australi më 1855 e
pastaj e përqafuar nga krejt lëvizja sindikaliste botërore. U hap kështu rruga për
protesta të përgjithshme dhe u kërkua një ditë, pikërisht 1 maji, në të cilën të gjithë
punëtorët të ushtronin presion për të drejtat e tyre. Nga kongresi i Internacionales
së parë në Gjenevë, ku ishin mbledhur kryesisht socialistë dhe anarkistë, doli propozimi
për ditën ligjore të punës prej 8 orësh, por ato që luftuan më tepër për realizimin
e kësaj aspirate qenë pa dyshim organizatat e punëtorëve amerikanë. Në vitin 1866,
shteti i Ilinoisit miratoi një ligj ku përcaktohej dita e punës prej 8 orësh, por
kishte kaq kufizime, saqë ishte praktikisht i pazbatueshëm. Hyrja në fuqi e këtij
ligji ishte caktuar për 1 Majin e vitit 1867, e pikërisht atë ditë, në Çikago u organizua
një manifestim i madh. Rreth 10 mijë punëtorë morën pjesë në kortezhin më të madh
të parë ndonjëherë nëpër rrugët e qyteteve amerikane. Në tetorin e vitit 1884 Federata
e Sindikatave të organizuara dhe e Bashkimit të Punëtorëve caktoi 1 Majin e 1886-ës
si datë kufi, përtej së cilës punëtorët amerikanë do të refuzonin të punonin më shumë
se tetë orë në ditë. 1 maji i vitit 1886 ra ditë shtunë, atëherë ditë pune, por në
12 mijë fabrika të SHBA-ve, rreth 400 mijë punëtorë bënë grevë. Vetëm në Çikago numri
arriti 80 mijë vetë. Fillimisht manifestimet u zhvilluan paqësisht, por të hënën policia
hapi zjarr, duke shkaktuar katër viktima. Një protestë tjetër e punëtorëve u lajmërua
për të nesërmen, 4 maj. Policia hodhi një bombë kundër oratorëve, duke shkaktuar 8
të vdekur e shumë të plagosur. Të nesërmen, në Miluoki, policët qëlluan sërish kundër
manifestuesve (punëtorë polakë), duke vrarë 9 prej tyre. Vala represive goditi ashpër
organizatat sindikaliste dhe politike të punëtorëve. Selitë e tyre u mbyllën e drejtuesit
u arrestuan. Për ngjarjet e Çikagos u dënuan me vdekje pa asnjë provë tetë eksponentë
anarkikë. Dy vetëve dënimi iu shndërrua në burgim të përjetshëm, njëri prej tyre u
gjet i vdekur në qeli, të tjerët u varën në burg më 11 nëntor 1887. Kështu 1 Maji,
i caktuar që më parë si ditë për punëtorët, mori një kuptim të ri dhe u bë simbol
i luftës për 8 orëshin e punës. Më 20 korrik 1889 kongresi themelues i Internacionales
së Dytë, i mbledhur në Paris, vendosi të organizojë pikërisht më 1 majin e 1890-ës
manifestimin e parë botëror të punëtorëve. Ishte hera e parë që kjo ditë kremtohej
njëkohësisht në të gjithë botën, por vazhdoi të shoqërohej me përleshje e viktima.
Vetëm në gusht të vitit 1891, kongresi tjetër i Internacionales, i mbledhur në Bruksel,
mori vendimin që dita e 1 Majit do të kremtohej përgjithmonë e në të gjitha vendet
si “festa e punëtorëve, në të cilën ata vetë do të manifestonin sëbashku për kërkesat
dhe do të tregonin solidaritetin ndaj njëri-tjetrit”.