2008-04-30 17:57:57

Në audiencën e përgjithshme, Benedikti XVI kujtoi vizitën në SHBA: çova shpresën e Krishtit në vendin që e vlerëson lirinë fetare si garanci për të drejtat të njeriut.


(30.04.2008 RV)RealAudioMP3 Shtegtimi i fundit apostolik në SHBA ishte në qëndër të vëmendjes në audiencën e përgjithshme, që u mbajt sot paradite në Sheshin e Shën Pjetrit. Përballë 20 mijë besimtarëve e shtegtarëve, Benedikti XVI rikujtoi etapat e vizitës së tij, duke nënvizuar se mundi të kumtonte shpresën e Krishtit në atdheun e pluralizmit kulturor e të lirisë fetare, duke kapërcyer përvojën e dhimbshme që jetoi kohët e fundit Kisha vendase. Para audiencës, Papa bekoi shtatoren e Shën Gjon Leonardit, themelues i Klerikëve të Nënës së Zotit.

OKB-ja e Shtëpia e Bardhë. Entuziazmi i njerëzve e heshtja e thellë e Graund Zirou. Dënimi i prerë i pedofilisë dhe ftesa për të shpresuar në Krishtin gjatë gjithë rrugës së vështirë të jetës… Pasi kanë kaluar emocionet e freskëta të ngjarjeve, ajo që mbetet është vetëdija e shtegtimit në një vend, ku feja e krishterë, e posaçërisht ajo katolike, përfshijnë një oqean vlerash, shumë më të fuqishme se stuhitë, që ia pastruan sipërfaqen. Këtë fe Papa e përforcoi me praninë e me fjalët e tij, duke marrë si shpërblim, vëmendjen, përkushtimin dhe dashurinë e turmave. E kjo u ndje fort në fjalët e shqiptuara sot nga Papa në Sheshin e Shën Pjetrit, ku solli kujtimin e takimit të drejtpërdrejtë me popullin e dashur të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe afirmimin e horizonteve të reja që hapi vizita e tij në këtë vend të madh. Disa herë, ashtu si gjatë shtegtimit amerikan, Benedikti XVI shprehu admirimin për SHBA, vend i harmonisë së plotë ndërmjet parimeve fetare, etike e politike e shembull me vlerë për laicitetin e shëndoshë, i cili jo vetëm e lejon fenë, por edhe e vlerëson si shpirti i kombit.
“Në rrethana të tilla, Kisha mund ta kryejë në liri e me impenjim misionin e saj të ungjillëzimit e të zhvillimit të njeriut, edhe me ‘vetëdije kritike’, duke kontribuar në ndërtimin e një shoqërie të denjë për të gjithë e, njëkohësisht, duke e nxitur një vend si Shtetet e Bashkuara, i cili shikohet si një nga aktorët kryesorë të skenës ndërkombëtare, të luajë rol të dorës së parë në solidaritein global, gjithnjë më i nevojshëm e më urgjent, si dhe në ushtrimin e dialogut plot durim, në marrëdhëniet ndërkombëtare”.
Në sa rikujtoi dy etapat e Uashingtonit e të Nju Jorkut, Benedikti XVI falënderoi posaçërisht presidentin Bush e pastaj amerikanët e dhe Kishën vendase për festën që i organizuan me rastin e 81-vjetorit të ditëlindjes e të trevjetorit të papnisë, të cilat i kremtonte ato ditë. Më pas foli për inkurajimin që u dha ipeshkvijve amerikanë, të cilët i porositi ta ngrenë fort zërin, kur është fjala për çështjet aktuale morale e shoqërore, për mbrojtjen e jetës, të martesës e të familjes, duke u bërë kështu tharm i mirë në gjirin e një shoqërie, ku nuk mungojnë kontradiktat e ku fesë iu desh të kalojë një provë të vështirë:
“Duke menduar për ngjarjen e dhimbshme të shpërdorimeve seksuale mbi të miturit, kryer nga disa meshtarë, u shpreha ipeshkvijve afërsinë time e u dhashë zemër të bëjnë çmos për të shëruar plagët e për të forcuar lidhjet me meshtarët e tyre. Duke iu përgjigjur pyetjeve të ipeshkvijve, nënvizova disa aspekte të rëndësishme: lidhjen e ngushtë ndërmjet Ungjillit e ‘ligjit natyror’; konceptimin e drejtë të lirisë, që kuptohet e realizohet përmes dashurisë; përmasën kishtare të përvojës së krishterë, kërkesën për t’ua kumtuar në mënyrë të re, posaçërisht të rinjve, shëlbimin, si jetë e plotë dhe e vërtetë e për t’i edukuar që të luten, sepse nga lutja mungullojnë përgjigjet bujare ndaj thirrjes së Zotit”.
Një nga arsyet kryesore të shtegtimit dyjavor të Papës përtej Atlantikut, ishte edhe ftesa për t’u folur përfaqësuesve të Kombeve të Bashkuara, në 60-vjetorin e Deklaratës universale të të drejtave të njeriut:
“Provania hyjnore më dha mundësinë ta ripohoj, në organizatën më autoritare mbikombëtare, vlerën e kësaj Karte, duke kujtuar bazën e saj universale, dmth dinjitetin e njeriut, të krijuar nga Zoti sipas shembëlltyrës së vet, që të bashkëpunojë në botë për realizimin e planit të tij të jetës e të paqes”.
Duke folur për paqen, Benedikti XVI nënvizoi atmosferën e ngrohtë e thellësisht të përzemërt që u ndje fort në takimet me përfaqësuesit e feve të tjera, gjatë të cilave mundi të vërë në dukje përgjegjësinë që kanë liderët fetarë për ta edukuar njeriun me respektin reciprok e kundërvënien ndaj dhunës, si dhe për të mbajtur gjallë pyetjet më të thella të ndërgjegjes njerëzore, që kërkojnë përgjigje, posaçërisht kur bëhen nga të rinjtë, të cilëve Papa u kushtoi mendimin e fundit të audiencës:
Duke parë errësirën e sotme, që dyndet mbi jetën e tyre, të rinjtë mund ta gjejnë në shembullin e shenjtorëve dritën, e cila është në gjendje ta davaritë këtë errësirë: dritën e Krishtit, shpresë për çdo njeri. Kjo shpresë, më e fuqishme se mëkati e se vetë vdekja – nënvizoi Papa - u ndje me emocion të veçantë në heshtjen e thellë të Graund Zirou, ku ndeza një qiri e u luta për të gjitha viktimat e kësaj tragjedie të tmerrshme”.
Si në fillim të audiencës, gjatë takimit të Papës me shtegtarët rreth Sheshit të Shën Pjetrit, ashtu edhe pas katekizmit, një bandë muzikore, ardhur nga Meksika, e mbushi përplot artmosferën me tingujt festivë të disa këngëve karakteristike meksikane.Ndërsa, para se të arrinte në Sheshin e Shën Pjetrit, Papa bekoi shtatoren monumentale të Shën Gjon Leonardit, themelues i Kongregatës së Klerikëve të Nënës së Zotit, shpallur më 2006 ‘Pajtor i farmacistëve’. Shtatorja, e lartë 5 metra e 40 centimetra, me peshë 27 tonelata, është vepër e artistit Paolo Kavalo.







All the contents on this site are copyrighted ©.