2008-04-30 19:02:29

Italianët kanë më pak besim tek emigrantët


(30.04.2008 RV)Një studim i paraqitur në Ministrinë e Brendshme italiane vë në dukje se brenda një viti, italianët kanë më pak besim tek emigrantët dhe një e treta e tyre është kundër ndërtimit të xhamive.
Dje, studimi i Observatorit shoqëror mbi emigracionin, realizuar nga firma Makno& Consulting, vë në dukje se numri i italianëve që shohin emigrantët me mosbesim është rritur nga 5,9% e popullsisë në 11,3%, pra dyfishuar, megjithëse rreth 42% e italianëve tregohen të gatshëm t’i mirëpresin. Më problematikë konsiderohen emigrantët myslimanë. 28% e italianëve mendojnë se ata kanë kontradikta me fenë katolike, 25% vërejnë se myslimanët janë shumë kritikë ndaj kulturës dhe traditave italiane e 17% e italianëve kanë frikë se ata janë baza për celula integraliste, nga ku mund të vijnë akte terroriste.
Raporti ka edhe aspekte pozitive. Shumica e italianëve, rreth 57%, mendojnë se emigrantët janë të nevojshëm për ekonominë e madje kjo shifër rritet në 68,4%, kur është fjala për asistencën e të moshuarve. Mëse gjysma e kampionit prej 1000 vetësh të marrë në shqyrtim mendojnë se emigrantët janë të ndershëm, por klandestinët shihen si problem për sigurinë e vendit. Gjithnjë e më shumë italianë janë dakord që t’u jepet nënshtetësia emigrantëve pas 5 vjetësh qëndrimi në Itali e jo pas dhjetë, siç është ligji aktual, me kusht që të kapërcejnë provën e njohjes së gjuhës italiane.
Ashtu si për italianët, është marrë në shqyrtim edhe një numër i njëjtë kampioni për emigrantët. Rreth 70% e tyre shprehen të kënaqur nga puna. Për të pakënaqurit arësyet janë dy: mungesa e vazhdimësisë së punës dhe mungesa e kontratës për punë shpesh të rënda. Emigrantët janë pak a shumë të kënaqur edhe për shtëpinë ku banojnë, pavarësisht se nuk mungojnë problemet e lidhura me qiranë e lartë dhe me numrin e madh të personave, që shpesh banojnë në të njëjtin vend.
Studimi vë në dukje një të dhënë të përbashkët me një raport të një Instituti të Britanisë së Madhe: rritet numri i të huajve, që kthehen në vendet e tyre të origjinës, pas kanë fituar aq sa kanë dashur në Itali. Problemi i islamikëve shfaqet çuditërisht edhe ndërmjet vetë emigrantëve. 44,5% e emigrantëve jo-islamikë mendon se myslimanët sjellin me vete vetëm probleme. Në krahasim me italianët, madje, emigrantët jo islamikë janë më sensibël ndaj kushteve të gruas në botën islamike e shumë më tepër janë kundër ndërtimit të xhamive në Itali. Ndërkaq, për 35% të myslimanëve, vështirësitë kryesore që hasin në Itali janë mungesa e respektit për fenë e tyre, rreziku i humbjes së kulturës personale, mungesa e ushqimeve të tyre dhe fakti që Italia paska tepër liri.







All the contents on this site are copyrighted ©.