2008-04-30 18:37:10

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës.


(30.04.2008 RV)RealAudioMP3 30 prill: Toma i Akuinit, përmbledhës i diturisë shpirtërore.
Kur Toma i Akuinit ishte ende fëmijë, prindërit e çojnë në manastirin e Montekasinos. Dëshirojnë ta shohin epror të kuvendit të famshëm. Por këtij djali, me zgjuarësi të parakohshme, i intereson vetëm një gjë: t’i japë përgjigje pyetjes: “Kush është Zoti?”.
Nga Montekasino shkon në Napoli, ku njihet me përkthimet e para të filozofit të famshëm grek, Aristotelit. Ky i fundit e shpjegon natyrën në mënyrë ‘logjike’, duke u nisur vetëm nga arsyeja. Po Toma? A s’mund të ecë në të njëjtën rrugë, për t’i dhënë përgjigje pyetjes që e mundon aq shumë?
Hyn ndër domenikanë, por prindërit e detyrojnë të dalë sakaq e përpiqen me të gjitha forcat për ta bërë ta harrojë thirrjen e Zotit. Toma nuk heq dorë.
Eprorët nuhasin se djaloshi është i pajisur me zgjuarësi të jashtëzakonshme. Prandaj e nisin për të studiuar në Paris. E ai nuk i zhgënjen. Pa i mbushur mirë të 27 vjetët, ngarkohet me detyrën e rëndësishme të mësimdhënies së teologjisë – shkencës së Hyjit – në Universitetin e famshëm të Parisit. Fle pak, shkruan shumë zgjohet i pari për të kryer detyrat fetare, kremton një Meshë, ndjek një tjetër, e pastaj mbyllet në qelinë e tij për të punuar. Ia dikton veprat disa kopistëve njëherësh. Një pjesë e mirë e mësimit të tij, ka të bëjë me pjesëmarrjen në ‘dispute’. Është fjala për diskutime publike, gjatë të cilave ai që jep mësim, duhet t’u përgjigjet pyetjeve tepër të ndërlikuara.
Por nuk mjafton të mendosh për Hyjin, duhet jetuar me Të. Në këtë drejtim teologu i madh i ngjet të krishterit më të përvujtë: bën çmos për ta mbushur shpirtin me praninë e Zotit, duke i dëbuar të gjitha arsyetimet e tjera, që i zjejnë papushim në kokën e tij të zgjuar e të mësuar. Kërkon heshtjen… Lutet shpesh me krahë hapur.
Një ditë Krishti i kryqëzuar i thotë:
“Ti flet mirë për mua. Ç’kërkon si shpërblim?”
“Asgjë tjetër, veç teje, o Zot” – i përgjigjet.
Pak më vonë Toma i tregon sekretarit të vet, Regjinaldit, se Zoti i ka dhënë hirin ta takojë me të vërtetë. E në mirëbesim, shton: “Gjithë ç’ kam shkruar, s’është asgjë, në krahasim me atë që pashë, me atë që m’u zbulua…”.
Vepra kryesore e Tomës së Akuinit ‘Summa theologiæ’ (Përmbledhje e teologjisë), e shkruar ndërmjet viteve 1268 - 1274, mbeti e papërfunduar. Eshtë një nga veprat më të rëndësishme të katolicizmit. Toma i Akuinit vdiq më 1274, ndërsa po shkonte në Koncilin e Lionit.







All the contents on this site are copyrighted ©.