2008-04-29 16:28:32

Serbia nënshkruan Marrëveshjen e Asociim-Stabilizimit me BE-në


(29.04.2008 RV)Pas bisedimeve intensive e aspak të lehta për ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian, Serbia nënshkroi sot Marrëveshjen e Asociim-Stabilizimit, hapi i parë drejt integrimit evropian. Boris Tadiç, presidenti i një vendi ku parlamenti është i shpërndarë në pritje të zgjedhjeve të 11 majit, ishte ai që sot pasdite vendosi firmën e Beogradit mbi marrëveshje.
27 vendet e Bashkimit Evropian gjetën një zgjidhje me kompromis, pasi Hollanda e Belgjika pranuan që Serbia ta nënshkruajë marrëveshjen me kusht që procesi i ratifikimit të marrëveshjes nga shtetet anëtare të pezullohet deri në dorëzimin e kriminelëve të luftës, Ratko Mladiq dhe Radovan Karaxhiq në Gjykatën e Hagës. Do të pezullohet edhe marrëveshja tregtare që shoqëron atë të Asociim-Stabilizmit. Me këtë akt, Brukseli dëshiron t’u japë dorë të fortë europeistëve në zgjedhjet e 11 majit, por problemi nuk është aq i thjeshtë.
Që sot, kryeministri Vojisllav Koshtunica, edhe ai në dorëheqje e sipër, deklaroi se nuk i takon Tadiçit të nënshkruajë marrëveshjen, me parlament të shpërndarë, pasi nuk ka konfirmimin e popullsisë, e cila akoma duhet të votojë. Së dyti, firma e Tadiçit është një lloj pranimi i heshtur i pavarësisë së Kosovës, njohur nga shumë vende të Bashkimit Evropian. Do ta konsideroj si “të paqenë për Serbinë, kundër ligjit dhe kundër Kushtetutës çdo nënshkrim të marrëveshjes në këtë fazë” – u shpreh Koshtunica.
Ndërkaq, vlerësimi i parë për nivelin e bashkëpunimit ndërmjet autoriteteve të Beogradit dhe Gjykatës së Hagës do të bëhet rreth 15 majit dhe do t’i paraqitet Këshillit të ministrave të jashtëm evropianë nga kryeprokurori i ri i Gjykatës, Serzh Bramerc.







All the contents on this site are copyrighted ©.