2008-04-29 17:29:39

Mesazh i kardinalit Toran për festën e Vesakh: të krishterët e budistët bashkëpunojnë për një botë të pastër, të sigurtë e të harmonishme.


(29.04.2008 RV)“Katolikët e budistët, marrëdhëniet e të cilëve janë shumë pozitive, duhet të vijojnë punën e përbashkët për mbrojtjen e ambientit dhe promovimin e zhvillimit të qëndrueshëm, duke i kushtuar vëmendje të posaçme ndryshimeve klimaterike, që shqetësojnë mbarë njerëzimin”. Kështu shkruan kardinali Zhan Lui Toran, kryetar i Këshillit Papnor për dialogun ndërfetar, në mesazhin drejtuar budistëve me rastin e Vesakh, festa më e rëndësishme budiste, gjatë së cilës përkujtohen ngjarjet kryesore të jetës së Budës.
“A nuk mundemi ne, të krishterët e budistët - pyet kardinali – ta thellojmë bashkëpunimin për realizimin e projekteve, të cilat kanë të bëjnë me përgjegjësi që na takojnë të gjithëve? Për riciklimin, kursimin e energjisë, parandalimin e shkatërrimit të bimëve e të kafshëve pa kurrfarë dallimi, mbrojtjen e rrugëve nga kalon uji. Të gjitha këto flasin për nevojën e një administrimi më të vëmendshëm, për inkurajimin e vullnetit të mirë e për promovimin e marrëdhënieve të përzemërta ndërmjet popujve.
Në mesazh kujtohet se Viti 2008 është shpallur nga OKB-ja ‘Vit ndërkombëtar i Planetit Tokë’ dhe citohen fjalët e Papës lidhur me këtë argument në mesazhin për Ditën e Paqes të këtij viti. Shumë qeveri, Organizata jo qeveritare, shoqëri shumëkombëshe dhe institute kërkimesh – kujton kardinali – duke pranuar problemet etike, të pranishme në të gjithë zhvillimin ekonomik e shoqëror, po investojnë burime financiare e po shkëmbejnë njohuri në fushën e biolarmisë, të ndryshimeve klimaterike, të mbrojtjes e të ruajtjes së ambientit. Edhe liderët fetarë po japin kontributin e tyre në diskutimin publik.Krishtërimi e budizmi – kujton në përfundim kardinali – kanë pasur gjithnjë respekt të madh për natyrën e kanë mësuar se ne duhet të jemi mbarshtues mirënjohës të tokës. E kjo, sepse vetëm përmes një reflektimi të thellë mbi marrëdhëniet ndërmjet lidhjeve të Krijuesit hyjnor, krijimit e krijesave, përpjekjet për t’iu përgjigjur shqetësimeve ambientale nuk do të dëmtohen nga lakmia e individëve të papërgjegjshëm, ose nga interesat e grupeve të veçanta.







All the contents on this site are copyrighted ©.