2008-04-28 17:54:37

Parlamenti Evropian debat për komunizmin, që nuk qenka i rrezikshëm si nazizmi


(28.04.2008 RV)Parlamenti Evropian ka hapur javën e kaluar një debat mbi komunizmin, duke i ndarë më dysh deputetët e vet, jo thjesht në të majtë e të djathtë, por në përfaqësues të vendeve të vjetra evropiane dhe në deputetë të vendeve të hyra kohët e fundit në familjen e Brukselit.
Për vendet e vjetra, si Italia, Gjermania, Franca, “gogoli” i shekullit të kaluar është pa dyshim nazizmi e fashizmi, për të cilët krejt Evropa pati mbajtur qëndrim me anë të procesit të famshëm të Nurembergut. Por ish-vendet orbitë të Bashkimit Sovjetik, që tani janë pjesë e Bashkimit Evropian, si Polonia, Hungaria, Estonia kërkojnë që edhe komunizmi të konsiderohet po aq i rrezikshëm si nazizmi dhe shenjat e zgjimit të tij të merren njëlloj seriozisht si rishfaqja e përkrahësve të filozofisë hitleriane, apo të naziskinëve.
Për këtë arësye debati i hapur javës së kaluar, me bazë pyetjet “A mund të krahasohet komunizmi me nazizmin? A e meriton komunizmi një dënim pa ekuivok si nazizmi?”, përfundoi pa arritur konsensusin e për pasojë, edhe pa një deklaratë të përbashkët mbi çështjen.
Njëra nga arësyet është se vendet e Evropës Perëndimore e shohin ish-Bashkimin Sovjetik si aleat në luftën kundër nazizmit e presidenti Putin me deklaratat se shkatërrimi i aleancës lindore “është katastrofa më e madhe politike e shekullit XX”, natyrisht kontribuon në qëndrimin e atyre, që e shohin Moskën si partner ekonomik apo strategjik. Arësyeja tjetër është se të majtët e Evropës perëndimore akoma shohin në ideologjinë, që shkaktoi miliona viktima për një fjalë goje e mbylli brenda kufijve popuj të tërë në Lindje, pikën e tyre të referimit. Si socialisti hollandez Viersma, ashtu edhe majtisti francez Vurc u shprehën se vënia e krimeve të epokës sovjetike në të njëjtin kandar me ato të nazizmit i relativizon këto të fundit dhe Holokaustin.
Të zemëruar janë përgjigjur deputetët e Evropës Lindore. Estonezi Tunne Kelam deklaroi se do të impenjohet, që Evropa si e tillë të bëjë një vlerësim moral dhe politik të trashëgimisë së regjimeve komuniste e kjo të mos konsiderohet çështje e brendshme për secilin vend, siç do të dëshironte Brukseli. Ai vuri në dukje se nazizmi e fashizmi nuk shihen si çështje të brendshme të Gjermanisë apo Italisë e çdo shfaqje e neo-nazizmit apo racizmit konsiderohet kërcënim për vlerat e përbashkëta evropiane. E njëjta gjë duhet bërë edhe për komunizmin, viktimat e të cilit, theksoi Kelam, janë parë deri tani, si viktima të dorës së dytë apo të tretë.







All the contents on this site are copyrighted ©.