2008-04-27 13:37:06

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës.


(27.04.2008 RV)RealAudioMP3 27 prill: Vizitë në katedralen gotike të ShartrAgon një ditë e bukur pranvere e vitit 1260 e Rolandin, të birin e njërit nga ndërtuesit e katedrales, s’e zë vendi-vend. Do të shkojë, për herë të parë, me të jatin, për të vizituar katedralen e re, të sapondërtuar. Mahnitja nis sapo arrin në treme. Sodit me gojë hapur majën e lartë, më se njëqind metra. “Kujdes, se po të këputet qafa” – i thotë me shaka i jati - “Ruaje për më vonë, sepse mrekullitë sapo kanë filluar. Të hyjmë brenda!”.
Rolandi hyn në katedrale përdore me të jatin, por nuk arrin të shikojë gjë prej gjëje.
Është terr i verbër!”.
“Sytë tanë nuk shikojnë gjë, sepse kemi hyrë nga jashtë. Duhet të mësohen. Pas pak do ta shikojmë sa e shkëlqyer është. Kjo katedrale u ndërtua me teknikë moderne, që krijoi mundësitë të realizohen vetrata të mëdha në të katërt anët. Deri më sot, asnjë ndërtesë nuk mund të kishte kaq shumë hapësira në mur”.
“E pse?”.
“Sepse kisha do të rrezikohej të shembej. Shiko, Roland, ç’ mure vigane. A e di sa mund të peshojnë gjithë këta gurë? Sigurisht nuk i mbajnë vetratat!”.
E ka plotësisht të drejtë. Papritmas Rolandit i lind dëshira t’ia mbathë që aty me të katra. Po sikur t’i shembet tavani mbi kokë?
“Mos u shqetëso, mos u shqetëso…” – I thotë ndërtuesi, duke e kuptuar nga shprehja e fytyrës ç’po mendonte. “A i shikon këto bordura guri rreth e rreth qemereve? Janë harqet e mprehta gotike. E kjo është edhe teknika moderne, për të cilën sapo të fola. Harqet gotike, ndonëse nuk duken shumë të forta, e shpërndajnë peshën e gurëve njëlloj mbi të gjitha shtyllat e katedrales. Janë harqet që e mbajnë karabinanë. Kështu nuk ndjehet nevoja për të bërë mure tepër të trasha, ndërsa mund të realizohen hapësira të mëdha për vetratat…Si rezultat, shih ç’ ngjyra,… ç’dritë!”.
Tani që u janë mësuar sytë, Rolandi vëren se dielli, duke u përshkuar nëpër vetrata, krijon një simfoni dritash, që ndriçojnë gjithë kishën. E ndjen veten ndërmjet katedrales së tokës e katedrales së qiellit, përplot me drita mistike, që ia lartojnë shpirtin drejt Hyjit. Për disa çaste babë e bir zhyten në një heshtje të thellë. Pastaj fëmija, që do të dijë gjithçka, pyet përsëri:
“Babi, si bëhen vetratat?”.
“Merren copa të mëdha qelqi të ngjyrosur e priten në copa të vogla me një hekur të skuqur. Pastaj të gjitha copëzat ngjiten me plumb: vendoset një copëz e kuqe, pranë një tjere blu; një tjetre të gjelbërt e kështu me radhë. Në këtë mënyrë vetratistët arrijnë të krijojnë një mozaik ngjyrash, duke realizuar shpesh edhe personazhe të ndryshme”.
“E kush janë këto personazhe?”.
“Pyetje me vend! Këto që po shikon, janë skena nga Bibla. Po t’i vëresh me vëmendje, mund ta gjesh menjëherë historinë biblike, që tregon secila vetratë. Do ta shikosh, është fare e lehtë!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.