Festa e Zojës së Këshillit të Mirë, e njohur edhe si Zoja e Shkodrës.
(25.04.2008 RV)Në Qytetin e Veriut
që prej kohëve të lashta nderohej me përkushtim të veçantë, një figure e mrekullueshme
e Zojës. Është ajo figure që sot ndodhet në Gjenacan të Italisë. Historia e saj, është
vetë historia e katolicizmit ndër shqiptarë, katoliçizëm i cili, me vdekjen e Gjergj
Kastriotit, Skënderbeut, më 1468, nisi udhën e vet të kryqit. Në sa një pjesë e madhe
e banorëve, gjatë pesë shekujve të robërisë, do të shtrëngohej të ndërronte fe e
një pjesë tjetër do të merrte rrugët e mërgimit, vetëm një pakicë do të mbetej besnike,
duke vuajtur porsi gjarpëri nën gur për shekuj e shekuj. E pikërisht në këtë kohë,
rreth vitit 1467, kur një ushtri e re e madhe e sulltanit u dynd mbi Shkodër, sipas
gojëdhënës, figurja e Zojës u shkëput nga muri i Shenjtërores rrëzë Kështjellës së
Rozafës, për të mos u dhunuar nga hordhitë anadollake. E mbartur nga engjëjt, mbështjellë
prej një reje – vijon gojëdhëna- u ndalua në Gjenacan, afër Romës. Gojëdhëna tregon
edhe se Figuren e mrekullueshme e përcollën dy shkodranë, rojtarë të shenjtërores,
e ndërsa ecnin me sytë lart, pa u kujtuar as ata vetë, e kaluan në këmbë detin Adriatik.
Si arritën në Romë, figurja u zhduk nga sytë tyre. Por nuk vonoi e në të gjithë Italinë
u hap zëri se një figure e mrekullueshme kishte zënë vend në muret e Shenjtërores
së Gjenacanit, ku me ndërmjetësinë e saj po kryheshin mrekulli të panumërta. Ishte
data 25 prill 1467. Që asokohe nisën shtegtimet e besimtarëve drejt Gjenacanit, e
Zoja jonë e Këshillit të Mirë, Pajtorja e shqiptarëve, nisi të nderohej edhe në Itali,
Gjermani, Austri e më vonë edhe në kontinente të tjera, me të njëjtën figure, që vijon
të nderohet në Gjenacan. Figurja e Zojës është e pikturuar mbi një copë suvaje
muri katrore, me teknikën e afreskut. Është e lartë 45 centimetra dhe e gjërë 40 centimetra.
Duket sikur qëndron e varur në ajër, duke u mbështetur vetëm paksa në pjesën e djathtë
të bazamentit. Koka e Krishtit Fëmijë është pikturuar krejt pa flokë. Dikush ka thënë
se është pikturuar kështu sepse në Shqipëri aso kohe ishte zakon që fëmijëve t’u qetheshin
krejtësisht flokët. Koha kur u krijua kjo vepër arti dhe autori i saj nuk dihen me
siguri. Në se nisemi nga stili i punimit, do të përcaktonim shekullin XIV si periudhë
kur u krijua vepra. Sipas mendimeve, e më shumë dëshirave të shprehura deri më sot
nga studiuesit shqiptarë, piktura mund të jetë vepër e ndonjërit nga 80 piktorët e
shquar vendas, që përmenden në veprën e Gelçiçit. Kjo figure, pra, nderohej në
kishëzën dy herë të rrenuar të Zojës rrëzë Kështjellës Rozafa, një nga më të vjetrat
në Shqipëri. Në këmbë apo gërmadhë, Kisha mbeti gjithnjë cak shtegtimi. Nuk ka besimtar
që duke kaluar andej, edhe pas vitit 1967, kur kisha u rrenua për herë të dytë nga
diktatura enveriane, të mos jetë lutur në heshtje për ditë më të mira me një lutje
tradicionale, që i qëndroi kohës, më shumë se muret: “O Zoja e Bekueme, Nana
e Këshillit të Mirë, po të thërrasim ty, që je Bija e zgjedhuna e Zotit Atë, Nana
e Jezu Krishtit, Nusja e Shpirtit Shenjt, Tempull i së Shenjtnueshmes Trini: ndërmjetëso
për ne në qiell!”. E kur Kisha u rindërtua, Lutja u pasurua me fjalët: “Ndër
duert tua të fuqishme, o Nanë e Mëshirës, po e lëshojmë të dashtunin kombin tonë,
megjithsè jemi mëkatnorë të mjerë e të padenjë. Po të falënderojmë se na je gjetë
e na ke ndihmue me kujdesin e një Nane të vërtetë në dimnin e gjatë e të vështirë
të persekutimit, i cili na shkaktoi viktima të panjehuna, martirë që tash ndërmjetësojnë
për ne në qiell. Po të falënderojmë që na e nxore nga Zoti hirin e rikthimit të pranverës
së lirisë fetare e qytetare, e cila i hapë rrugën ndërtimit të një shoqnie ma të drejtë
e ma vëllaznore”. E ndërsa besimtarët luteshin e luten në Kishën rrëzë Kështjellës,
mendja nuk mund të mos u fluturojë në Gjenacan, atje ku Zoja Mërgimtare, si qindra
mijëra shqiptarë në kohë të lashta e të reja, ndërmjetëson përsëri për fatet e Kombit
shqiptar.