2008-04-25 17:30:46

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës.


(25.04.2008 RV)25 prill: Luigji IX ose shenjtëria, ulur mbi fronin francez
Jemi në kështjellën e Vënsa, në vitin 1253. Që kur mbreti Luigji IX është kthyer, i mundur, nga kryqëzata, oborrtarët janë tejet të shqetësuar …
“Sa ka ndryshuar mbreti ynë!”.
“Jeton si murg, agjëron shpesh e rrëfehet javë për javë … Nuk arrij ta kuptoj pse e bën gjithë këtë pendesë? E pse duhet ta mundojë kështu veten?”- thotë njëri.
“Duhet ta mundojë edhe shumë, madje, e duhet të bëjë edhe më shumë pendesë” – ia pret një kalorës.
“Ç’do të thuash, Jehan?”
“ Nuk e di ç’ mendon për të, por unë nisem nga vetvetja. Nuk ka asnjë dyshim se mbreti ynë është shumë i zoti. Asnjë sundimtar nuk e vë Hyjin në qendër të jetës, siç bën ai. .. E bleu me peshë floriri kurorën e ferrave të Jezusit e ne e pamë me sytë tanë kur e solli, këmbëzbathur, së bashku me t’ ëmën, Bardhën e Kastiljes, deri në katedralen e Sans… E pastaj, një tjetër shenjë e devocionit të tij është kapela e shenjtë, që e ndërtoi në ishullin e Sité, pranë ishullit të Shën Luigjit, pikërisht për ta ruajtur aty kurorën. Duhet pranuar se është njeri me fe të gjallë”.
“Po atëherë ç’ka për t’u qortuar? Ma shpjego e mos vijo më ta mbulosh me lëvdata”.
“Është për t’u qortuar sepse vendosi të nisej për kryqëzatë, pa i pyetur fare këshilltarët e tij. Sepse pyet vetëm kokën e vet… U nis me njëzet e pesë mijë vetë, tetë mijë kalorës…. E, pak pasi zbriti në Egjipt, i vunë prangat dhe e rrasën në burg. .. E mbretëreshës Bardha iu desh të paguante një thes me para për ta liruar, atë e ushtarët e tij”.
“E gjithë ato të mira që bëri për popullin e vet, ku t’i çojmë?” – e ndërpret Rohani. “Kujdesin për të varfërit në gjithë mbretërinë. Reformat për të përmirësuar drejtësinë e për të kufizuar pushtetin e të pasurve…?”.
“Ndoshta këto janë gjërat më të mira që bëri, gjëra që Hyji i pret prej çdo mbreti”- pranon Jehani.
“Domethënë, ti e kundështon kryqëzatën e re që po përgatit?” – ndërhyn një tjetër.
“Po, e kundërshtoj, e nuk besoj se jam i vetmi” – deklaron Jehani,
Në të vërtetë shumkush nuk dëshironte që Luigji IX të merrte pjesë në këtë kryqëzatë të dytë, por mbreti nuk ua vuri veshin. Më 2 korrik 1270 u nis nga Eg-Mortë për në Tunizi. Për herë të dytë ushtria e tij u përgjysmua nga sëmundjet. E edhe ai vetë vdiq më 25 gusht, pasi vuajti tmerrësisht. Mund të jesh mbret; madje edhe shenjt e, megjithatë … të gabosh. Luigji IX u kanonizua në vitin 1297, për jetën e tij shembullore plot guxim, për vullnetin e mirë, drejtësinë e besimin në Zotin.







All the contents on this site are copyrighted ©.