2008-04-25 18:30:56

25 prill 1993 - 25 prill 2008: me imzot Rrok Mirditën përshkojmë 15 vjetët pas vizitës së Papës Gjon Pali II në Shqipëri


(25.04.2008 RV)RealAudioMP3 15 vjet më parë Papa Gjon Pali II vizitoi Shqipërinë, duke u ndalur në Shkodër dhe në Tiranë. Gjatë vizitës i dhuroi Kishës së martirizuar hjerarkinë e re të pasdiktaturës. Katër ipeshkvijtë e rinj, imzot Frano Illia, imzot Rrok Mirdita, imzot Robert Ashta dhe imzot Zef Simoni morën nga duart e tij jo thjesht detyrën për të ngritur në këmbë Kishën Katolike në Shqipëri, por edhe për të mjekuar plagët e rënda të hapura në shpirtin e shqiptarëve nga regjimi komunist.
Ka çaste të pashlyeshme në kujtesën e katolikëve e të krejt kombit shqiptar, që sjellin në mend të ndjerin Papë Vojtila, atë që komunizmin e pati provuar në lëkurën e vet, ku pati lënë shenja, që do të dukeshin në vendimet e marra gjatë gjithë papnisë. Kush nuk e mban mend puthjen e tokës shqiptare, sapo Gjon Pali II zbriti nga avioni; pastaj përqafimin me popullin e klerin vendas në Shkodër; buzëqeshjen e fjalët e çmuara dhuruar Nënë Terezës; krjimin e ipeshkvijve, të cilëve Papa iu drejtua një për një; e në fund lamtumirën në sheshin Skënderbej në Tiranë. Dy ipeshkvij nga katër të parët mund të dëshmojnë akoma për atë datë të shënuar, 25 prillin e vitit 1993, kur për herë të parë, një papë shkelte në tokën shqiptare. Njëri prej tyre është imzot Zef Simoni, ipeshkëv nderi i Shkodrës. Ne folëm me tjetrin, me kryeipeshkvin metropolit të Tiranë-Durrësit, imzot Rrok Mirditën, i cili sëbashku me vizitën e Atit të Shenjtë, feston edhe 15 vjetorin e shugurimit të tij si ipeshkëv. Ta dëgjojmë…RealAudioMP3

Nga katedralja e Shkodrës, Papa Gjon Pali II iu drejtua popullit shqiptar me këto fjalë:
RealAudioMP3 Kjo është dita e falur prej Zotit, ditë gëzimi, e ipeshkvi i Romës erdhi ta kremtojë së bashku me ju. Ipeshkvi i Romës për shumë vjet është lutur për ju, së bashku me gjithë Kishën….. E sot Pasardhësi i Shën Pjetrit… përsërit para Jush, që jeni mbledhur këtu, para Shqipërisë, Evropës, para Kishës universale e para mbarë botës: "Përvoja juaj e vdekjes dhe e ringjalljes i përket gjithë Kishës dhe gjithë botës. Çdo njeri duhet të reflektojë rishtas mbi gjithçka lidhet me Jezusin, që u dënua me vdekje dhe u kryqëzua dymijë vjet më parë.
Duhet të reflektojë edhe mbi çka ju ngjau ju gjatë disa dhjetvjeçarëve të shekullit XX! Është e drejtë të shikosh përpara për të rindërtuar një ardhmëri të lirë, me fytyrë njerëzore, por përvoja e kaluar nuk duhet harruar, për të shmangur përsëritjen e të njëjtave gabime të një periudhe shumë të mjerueshme… të paparë në rrjedhën e historisë…

 
Nuk duhet harruar ç'ka ngjarë… nuk duhet harruar!
Sa u ndoq këshilla e Papës në Shqipërinë e demokracisë së saporilindur? Sot, në një vend ku politikanët kanë të ardhura më të larta se në botën perëndimore, ndërsa çmimet janë të barabarta me ato evropiane, e qytetarët grinden me pagat e shpenzimet, për të arritur fundin e muajit, Kisha është ringjallur e ka korrur frytet e para, jo pa i ndjerë dritëhijet e shoqërisë ku kryen misionin, ndërsa reflekton për rrugën 15-vjeçare të përshkuar. Ja ç’na thotë imzot Rrok Mirdita…RealAudioMP3


Në atë ditë të 25 prillit 1993, Ati i Shenjtë Gjon Pali II e pati ftuar popullin shqiptar të shohë me guxim drejt së ardhmes. Duke kujtuar këtë porosi, imzot Rrok Mirdita përmend elementet e shpresës, me të cilat Kisha Katolike karakterizon praninë e saj në Shqipëri, përmes punës e institucioneve të veta. E cilat janë shpresat për të ardhmen…RealAudioMP3


Të dashur dëgjues, po e përfundojmë këtë përkujtim të vizitës së Papës Gjon Pali II në Shqipëri, më 25 prill të vitit 1993, me urimin e lutjen në shqip të Atit të Shenjtë, që kanë vlerë edhe sot, 15 vjet pas atij shtegtimi apostolik…RealAudioMP3








All the contents on this site are copyrighted ©.