2008-04-24 18:24:10

Kina dhe të drejtat e njeriut. Me ne një gazetar që punon në Pekin


(24.04.2008 RV)RealAudioMP3 Vazhdon polemika për Tibetin, e cila ka përfshirë edhe rrugën e Flakës Olimpike. Pas thirrjes së djeshme të Bashkimit Evropian për dialog me liderin shpirtëror tibetian, Dalai Lama, Kina përsëriti se çështja është problem i brendshëm dhe ftoi bashkësinë ndërkombëtare të mos ndërhyjë. Në Pekin ndodhet një mision evropian, ku merr pjesë edhe kreu i Komisionit, Barroso. Edhe gjatë ditëve të kaluara, Europarlamenti i bëri thirrje Pekinit të respektohen “parimet e demokracisë, të qeverisjes së mirë dhe të drejtat e njeriut në marrëdhëniet me Afrikën”, kontinent ku Kina e ka shtuar praninë e saj tregtare. Por sa është e vërtetë që në Kinë nuk respektohen të drejtat e njeriut? Përgjigjet Françesko Sishi, korrespondent i gazetës italiane “La Stampa” në kryeqytetin kinez:
Ky është një argument, që nuk duhet të trajtohet me retorikë. Që prej këtij viti Kina ka miratuar një legjislacion të ri për të mbrojtur pagat, klasën punëtore dhe nëpunësit. Por ndërmarrjeve të huaja nuk u ka pëlqyer ky ligj, sepse natyrisht u zvogëlon fitimet dhe e ndërlikon krejt veprimtarinë e tyre në Kinë.
Ideja perëndimore është se me një regjim represiv nuk duhet folur, duhet lënë mënjanë, derisa vështirësitë ta shkatërrojnë vetvetiu. Ndërsa Kina thotë se në këtë mënyrë regjimi ose do të mbetet në fuqi, ose krerët e tij do të arratisen sëbashku me arkën e shtetit. Për Pekinin pra, regjimi duhet marrë ashtu si është e duhen bërë përpjekje për të përmirësuar ekonominë dhe shoqërinë e vendit. Natyrisht, një qëndrim i tillë do të thotë t’i kapërcesh me mendjelehtësi çështjet e të drejtave të njeriut e problemet e ndërlikuara e të rëndësishme të përkrahjes së regjimeve diktatoriale mizore në Afrikë.
Ndërkaq, Kina ka tërhequr anijen me armë të destinuar për forcat qeveritare në Zimbabve, pas kritikave të bashkësisë ndërkombëtare se ato do të përdoreshin kundër opozitorëve të presidentit Mugabe. Në vend akoma nuk dihen rezultatet e zgjedhjeve presidenciale të zhvilluara më 29 mars, ndërsa ato të zgjedhjeve politike, në të cilat ka fituar opozita, vihen tani në diskutim, nëpërmjet rinumërimit të votave.







All the contents on this site are copyrighted ©.