2008-04-24 18:01:55

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës.


(24.04.2008 RV)RealAudioMP3 24 prill: Dita e dorëzimit të kalorësit: shpata në shërbim të Hyjit
I gjunjëzuar në dyshemenë e ftohtë të Kishës, Amairi lutet. Kalon orë të jashtëzakonshme: është nata pa gjumë, që i paraprin ngjeshjes së armëve. Nesër në mëngjes do t’ia besojë jetën e tij të re Hyjit. Bir i vetëm i një familjeje fisnike, ai mund të ndjekë një rrugë të vetme: atë të kalorësisë. E nesër do të jetë dita e caktuar për t’u dorëzuar kalorës.
Amairi ka qenë disa herë i pranishëm në festa të tilla dhe i njeh të gjitha hollësitë e kremtimit. Dita e nesërme do të fillojë me një banjo: një nga banjot çlodhëse, që sigurisht nuk e bën çdo ditë. Do të jetë banjo simbolike. Do të tregojë se ai e pranon përgjegjësinë e re në shërbim të Hyjit e të shoqërisë, me një zemër të re e të pastër.
Kur të jetë krejt i pastër, Amairi do të veshë rrobat madhështore dhe mantelin e purpurtë, simbol i fisnikërisë. Do të duket tejet krenar me këto rroba, që i kanë veshur të gjithë zotërinjtë e familjes së tij: “Sa gjë e bukur është të përsërisësh traditat” – mendon me vete djaloshi. E pastaj… duke vijuar të mendojë për atë që e pret, përfytyron oborrtarët e kështjellës, veshur me salltanet, tingujt festivë të borive e të daulleve, familjen e mbledhur rreth tij. Që kur ishte nëntë vjeç ka jetuar në kështjellën e xhaxhait, së bashku me djem të tjerë, që përgatiten për t’u bërë kalorës. Rrallë herë i ka parë familjarët.
Do ta veshë i ungji. E përfytyron ashtu, shtatlartë, duke u përkulur paksa për t’i dorëzuar armët: mamuzet e arta, përkrenaren e rëndë që mbajnë kalorësit, mburojën e heshtën. E nuk duhet harruar gjëja kryesore: shpata, simbol i forcës. Duke ngjeshur shpatën në moshën pesëmbëdhjetë vjeçare, Amairi bëhet burrë, bëhet zotëri. Duhet t’i mbrojë vendin e tij e të varfërit, sa herë rrezikohen nga sulmet e armiqve. Shpata është simbol aq i rëndësishëm, sa Amairi duhet ta marrë i gjunjëzuar: xhaxhai do t’i prekë me teh të shpatës më parë njërin sup e më pas tjetrin. Pastaj do ta ngrejë e do ta marrë ngrykë. Përqafim simbolik edhe ky, që tregon se gjithçka është kryer: që nga ky çast Amairi do të jetë zyrtarisht kalorës.
Në sa e përfytyron gjithë këtë skenë madhështore, djaloshit nis t’i rrahë zemra më fort se këmbanat, që do të kumbojnë njëherësh nesër në kapelën e kështjellës. Amairi i largon përfytyrimet e rifillon të lutet. Nata i duket tepër e shkurtër për t’i kërkuar Hyjit gjithë ç’ ka nevojë: guxim, bujari, fisnikëri, mirësjellje, ëmbëlsi…. Cilësi, që duhet të ketë një kalorës i mirë e që janë shumë më të rëndësishme se shpata!







All the contents on this site are copyrighted ©.