2008-04-23 18:18:42

Në Meshën e dritës në Shën Pjetër, Benedikti XVI kujton kardinalin Lòpez Truhiljo: mbrojti ungjillin e familjes dhe ndjenjën e krishterë të dashurisë bashkëshortore.


(23.04.2008 RV)RealAudioMP3 “Kardinali i ndjerë e deshi dhe e mbrojti familjen gjatë gjithë shërbimit të tij në Kishë, duke mësuar, ndërmjet tjerash, se shkenca që nuk e edukon njeriun për të mbrojtur jetën, nuk mund të mos i humbasë betejat më të rëndësishme në fushën e ixhinierisë gjenetike”. Kështu e kujtoi Benedikti XVI kardinalin Alfonso Lòpez Truhiljo, që ndërroi jetë të shtunën e kaluar, në moshën 72 vjeçare, pasi luftoi për një kohë të gjatë kundër një sëmundjeje të rëndë. Në Meshën e salikimeve, kryesuar nga kardinali Angjelo Sodano, Papa mbajti homelinë dhe kryesoi ritet e salikimit të fundit.“Kur, gjatë punës sime, flas për idealet e martesës e të familjes, është e natyrshme të mendoj për familjen, në gjirin e së cilës linda, sepse pikërisht prindërit e mi, më bindën se këto ideale mund të realizohen”. Pas këtyre fjalëve të kardinalit të ndjerë, fshihet drama e tij personale: ishte akoma tepër i ri kur, pas një sëmundje plot dhimbje, i vdiq e ëma në moshën 44 vjeçare. Këtë humbje kardinali i ardhshëm e përballoi me fe të gjallë, i ngushëlluar nga kujtimi i dashurisë prindërore, që nuk i mungoi kurrë, e nga feja, me të cilën e edukuan prindërtit, duke e mësuar t’i bëjë ballë edhe situatave më dramatike. Benedikti XVI i nënvizoi gjatë homelisë këto fjalë simbolike, që të kujtojnë impenjimin e kardinalit Truhiljo, i cili e shkriu një pjesë të mirë të jetës në krye të Këshillit Papnor të Familjes, ku e pati thirrur Gjon Pali II më 1990.
“Si të mos e vëmë në dukje, në këtë çast - pyeti Papa – zellin e pasionin me të cilat punoi për më se 18 vjet, duke zhvilluar një veprimtari të palodhshme për mbrojtjen dhe promovimin e familjes e të martesës së krishterë? Si të mos e falënderojmë për guximin, me të cilin i mbrojti vlerat e padiskutueshme të jetës njerëzore?
Të gjithë e admiruam për veprimtarinë e tij të palodhshme. Fryt i këtij impenjimi është Lexikon-i, tekst i çmuar për formimin e veprimtarëve baritorë dhe mjet për dialogim me botën e sotme, mbi temat themelore të etikës së krishterë. Nuk mund të mos i jemi mirënjohës për betejën tij të guximshme në mbrojtje të së vërtetës të dashurisë familjare e në përhapjen e ‘ungjillit të familjes”.
Para se ta fillonte veprimtarinë në Kurien Romake, kardinali Truhiljo qe specialist i Kishës dhe i baritorisë, si kolumbiane – vend ku lindi më 1935 - ashtu edhe latinoamerikane, aftësi që dolën edhe më në pah kur, në moshën 40 vjeçare, iu besua detyra të kryesojë CELAM-in, Këshillin ipeshkvnor latinoamerikan e, më pas, Konferencën ipeshkvnore kolumbiane. Kur Papa Vojtila e krijoi kardinal, në fillim të vitit 1983, kryeipeshkvi i askohshëm i Medelinit, ishte më i riu në Kolegjin Kardinalor. E ndërkaq ky ipeshkëv i ri, i palodhshëm, kishte ardhur tri herë në Romë, për të marrë pjesë në Sinodet për ungjillëzimin, për katekizmin e për familjen, sektor të cilit i shërbeu në Selinë e Shenjtë.
“Mbeti i paharrueshëm në kujtesën e të gjithëve, fjalimi i tij prekës në Asamblenë e Sinodit të ipeshkvijve të 1997-tës: ishte një këngë e vërtetë për jetën. Ai propozoi një përshpirtëri tepër konkrete për ata që impenjohen në zbatimin e planit hyjnor për familjen, duke nënvizuar se shkenca, që nuk punon me përkushtim për ta kuptuar jetën e për ta mbrojtur, do t’i humbasë betejat e rëndësishme në fushën magjepsëse e misterioze të inxhinierisë gjenetike”.
Kardinali i ndjerë – vërejti më pas Ati i Shenjtë – qe i dashuruar edhe me të vërtetën, sepse – pohon në një nga shkrimet e tij – gjithçka që ka të bëjë me të, është në qendër të studimeve të mia. Veritas in caritate (Vërtetësi në dashuri), qe motua ipeshkvnore e kardinalit kolumbian; e këtë program e vuri në jetë me një zell të tillë, sa të bëhej shembull që meriton të ndiqet:
“Bujaria e kardinalit të ndjerë - vuri në dukje Ati i Shenjtë – që gjeti shprehjen në shumë vepra bamirësie, posaçërisht në favor të fëmijëve në vende të ndryshme të botës, duhet të na inkurajojë për të shkrirë të gjitha forcat tona fizike e shpirtërore për Ungjillin; duhet të na japë shtytje të punojnë pa kursim në mbrojtje të jetës njerëzore; të na ndihmojë të mos e harrojmë kurrë cakun e shtegtimit tonë tokësor”.







All the contents on this site are copyrighted ©.