2008-04-22 16:32:14

Shqipëri: Parlamenti miraton ndryshimet kushtetuese


Kuvendi i Shqipërisë miratoi mbrëmë me 115 vota pro, 17 kundër dhe 3 abstenime pesë ndryshimet kushtetuese të propozuara nga dy partitë më të mëdha - PD dhe PS. Këto ndryshime lidhen me reformën zgjedhore, mënyrën e zgjedhjes së Presidentit, mocionin ndaj Kryeministrit, kufizimin e mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm, dhe shfuqizimin e pjesës 12 të Kushtetutës që lidhet me KQZ në. Sipas këtyre ndryshimeve në zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të aplikohet sistemi proporcional rajonal nga mazhoritar i korrektuar që është përdorur deri tani. Një ndryshim tjetër është dhe zgjedhja e presidentit. Ai mund të zgjidhet edhe me shumicë të thjeshtë nga parlamenti, pas tre raundeve të votimit kur nuk arrihet shumica me tre të pestat, duke menjanuar zgjedhjet e parakohshme. Sipas kësaj pakete edhe mandati i prokurorit të përgjithshëm do të jetë pesë vjet, nga i pakufizuar që ka qënë deri tani.







All the contents on this site are copyrighted ©.