2008-04-22 18:25:45

Kisha hyn në vitin e katërt të papnisë së Benediktit XVI, Papës së shpresës.


(22.04.2008 RV)RealAudioMP3 Kisha hyri në vitin e katërt të papnisë së Benediktit XVI. Ati i Shenjtë e kremtoi këtë përvjetor në Nju Jork, më 19 prillin e kaluar, gjatë shtegtimit të tij në SHBA, me moton: “Krishti, shpresa jonë”, që i përmbledh mrekullisht mirë këto tre vjet të shërbimit papnor.
“Show the world the reason for the hope that resonates within you”.
Tregojini botës arsyen e shpresës suaj: me këto fjalë, të shqiptuara në Nju Jork, gjatë takimit me të rinjtë dhe seminaristët amerikanë, më 19 prillin e kaluar, ditën e përvjetorit të tretë të zgjedhjes së tij si pasardhës i Shën Pjetrit, Benedikti XVI sintetizoi gjithë kuptimin e misionit të tij: të kumtojë Krishtin, Shëlbuesin e botës! Gjatë këtyre tri vjetëve, Benedikti XVI është takuar me 10 milionë njerëz, ka bërë tetë shtegtime ndërkombëtare e tetë vizita baritore në Itali. Ka shkruar dy enciklika për t’i treguar mbarë njerëzimti se ‘Dashuria’ e ‘Shpresa’ nuk janë diçka, por ‘Dikush’. Botoi edhe librin ‘Jezusi i Nazaretit’, për të dëshmuar se feja nuk është listë veprimesh të ndaluara, por lidhje miqësie me Hyjin, që u bë njeri e që ta ndryshon jetën: në Të na u dhurua një shpresë e re, pavarësisht nga tallazet e jetës, sepse caku është plotësisht i qartë. Zhvillimi i shkencës moderne - shpjegon Papa – i kufizon gjithnjë më shumë fenë dhe shpresën në sferën private dhe individuale, kështu që sot shihet gjithnjë më qartë e nganjëherë edhe në mënyrë dramatike, se njeriu dhe bota kanë nevojë të madhe për Hyjin, Hyjin e vërtetë, përndryshe mbeten krejt pa shpresë. E Papa pyet ‘ po, ç’është shpresa’ , për t’u përgjigjur më pas se:
“Shpresa qëndron në njohjen e Zotit, në zbulimin e zemrës së tij prej Ati të mirë e të mëshirshëm. Jezusi, me vdekjen në kryq e me ngjalljen, na e zbuloi fytyrën e Tij, fytyrën e Hyjit, që ka një dashuri aq të madhe, sa të na transmetojë shpresën e patundshme, të cilën nuk e mposht dot as vdekja, sepse kush ia beson jetën këtij Ati, ecën drejt rrugës së lumturisë së amshuar”. (Lutja e Engjëllit të Tënzot, 2 dhjetor 2007)
Benedikti XVI ka organizuar dy koncistore, gjatë të cilëve krijoi 38 kardinaj të rinj, që përfaqësojnë të gjitha kontinentet, për t’i treguar mbarë botës se Kisha e ka në zemër fatin e mbarë njerëzimit. Papa lutet për paqe e drejtësi në botë. U shkruan letër katolikëve kinezë. Mendon vazhdimisht për Afrikën e për ndarjen e barabartë të pasurive të Tokës. Bota e ngopur duhet ta ndryshojë stilin e jetës, sepse:
“Ndjehet nevoja për një shpresë më të madhe, që mund të realizohet në se pëlqehet e mira e përbashkët, në vend të luksit të pakicës e mjerimit të shumicës. Kjo shpresë e madhe mund të jetë vetëm Hyji… e jo çdo lloj hyjnie, por vetëm Zoti me fytyrë njeriut (Enciklika Spe salvi n. 31). Hyji që na u dëftua në Foshnjën e Betlehemit e në të Kryqëzuarin e Ngjallur. Kur e kemi këtë shpresë të madhe, ajo nuk humbet edhe në se jetojmë me thjeshtësi. Ndërsa kur mungon shpresa e vërtetë e lumturia kërkohet në dehje, kotësi, teprime, rrënohet vetvetja e bota. Atëherë mund të themi se vetpërmbajtja nuk është thjeshtë rregull asketik, por edhe rrugë shpëtimi për mbarë njerëzimin”. (Homelia e 6 janarit 2008)
Benedikti XVI është njeri i thjeshtë e i butë: fjala e tij, e qartë dhe thellë. I pëlqen dialogu, që nuk e cënon të vërtetën. Ka hyrë dy herë në sinagogë: në Këln e në Nju Jork; por edhe në xhami: kujtojmë këtu vizitën në Xhaminë Blu të Stambollit. I fton njerëzit që nuk besojnë, ta zgjërojnë horizontin e arsyes, të mos mbyllen vetëm në atë që vërtetohet përmes eksperimentit, për të mos refuzuar amshimin, dmth Zotin:
“Njeriu mund ta shuajë në shpirtin e vet çdo shpresë, duke e zhdukur nga jeta e vet Zotin. Është krijesa e vetme, e lirë t’i thotë ‘po’ ose ‘jo’ amshimit, dmth Hyjit; njeriu mund ta zhdukë Zotin nga jeta e vet, duke hequr dorë nga pasuria më e madhe. Po Zoti e njeh mirë zemrën e njeriut. E di se kush nuk e pranon, nuk e ka njohur mirë fytyrën e tij të vërtetë, prandaj – nënvizon Papa – Zoti vijon të trokasë në portën tonë si shtegtar i përvujtë, e pret t’ia hapim, në mënyrë që ta njohin të gjithë”. (Homelia 1 dhjetor 2007)







All the contents on this site are copyrighted ©.