2008-04-22 18:52:43

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës.


(22.04.2008 RV)RealAudioMP3 22 prill: Kiara e Asizit: ndërmjet dy rrugëve, zgjedh më të vështirën, por edhe më të bukurën.
Atë të dielë të vitit 1210, shumë të rinj e ndoqën meshën pa vemendjen e zakonshme. Në bankë të parë ishte ulur Kiara, e bija e njërit nga zotërinjtë më të pasur të vendit, Favarone Ofreduçios. Ishte 18 vjeçe e dallohej për hijeshi ndërmjet të gjitha vajzave të Asizit.
“Sa bukur niset e stoliset. Vezullon nga brilantet e perlat” – psherëtin një nga admiruesit, ulur pranë saj.
“S’ka të sharë” – vijon me zë tepër të ulët një tjetër, “ndonëse zakonisht nuk spitullohet kaq shumë”.
“Shih, shih, sa e përhumbur duket. Thua të ketë rënë në dashuri?”.
Kështu pëshpërisin të rinjtë. Nuk e dinë se Kjara do të nisë një rrugë, që do t’i lërë pa mend të gjithë. Pikërisht atë natë, do t’i thotë lamtumirë përgjithmonë jetës plot salltanete. Do të ikë nga shtëpia, sepse familja e saj nuk do ta lejonte kurrë ta bënte, atë që ka ndër mend. Do të shkojë tek Françesku, i biri i tregtarit të stofave të Asizit, që ka braktisur gjithçka, për të jetuar në varfëri të plotë. E tani Françesku nuk është më vetëm: me të janë bashkuar edhe të rinj të tjerë, që duan të jetojnë së bashku, ta lusin Zotin së bashku e t’u flasin për Të, gjithë njerëzve që takojnë. Nuk kanë gjë prej gjëje, as një kafshatë bukë. Duhet ta lypin gjithçka.
Kiara është vajza e parë, të cilën e tërheq kjo mënyrë jetese. Natyrisht nuk ka guxuar t’ua tregojë këtë prindërve …
Kur bie muzgu, Kiara ecën në një shteg mes pyllit, derisa arrin tek kapela e Porciunkolës, ku e pret Françesku me shokët e tjerë. E atje, në heshtjen e thellë të natës, Kiara shqipton premtimin për t’ia kushtuar gjithë jetën Zotit në varfëri, bindje e pastërti. Françesku, i prekur thellë në shpirt, ia pret flokët e gjatë, të mrekullueshëm, që i derdheshin valë-valë supeve dhe ia mbulon kokën me një vel. Vasha heq rrobat luksoze e vesh zhgunin ngjyrë kafe, të ngjashëm me atë të vëllezërve të Françeskut.
Pas çasteve të para të zemërimit, familja e Kiarës e kupton se vajzën e ka thirrë në atë rrugë vetë Zoti. Përderisa duket aq e kënaqur! Françesku e vëllezërit e tij ndërtojnë një kuvend të vogël për Kiarën, pikërisht pranë Kishës së Shën Damianit, të rindërtuar nga Françesku... Kiara shkon të jetojë aty, me disa vajza të tjera, që janë bashkuar me të. Ndërmjet tyre, edhe dy motrat e saj. Pikërisht në këtë manastir Kiara do ta kalojë gjithë jetën duke u lutur. Shumë njerëz janë gati ta ndihmojnë, që të mos jetojë në varfëri aq të madhe, po Kiara nuk pranon. Nuk do të ketë asgjë më shumë se Françesku, vetëm sepse është grua. Rregulltarja e parë françeskane merr nga Papa një letër, përmes së cilës i njihet “privilegji i varfërisë së plotë”: e pabesueshme: i jepet e drejta, për të mos pasur asgjë mbas shpirtit!
Pas vdekjes së Kiarës, motrat që e ndoqën, nisin të quhen Klarise e vëllezërit e Françeskut, Françeskanë. Dy urdhërat ndryshojnë nga njëri- tjetri, por konsiderohen motër e vëlla, në kujtim të miqësisë së madhe që e pati lidhur Kiarën me Françeskun!







All the contents on this site are copyrighted ©.