2008-04-21 17:37:28

Papa u kthye sot në Vatikan, në përfundim të vizitës në SHBA e në OKB: komenti i drejtorit tonë të përgjithshëm, Atë Federiko Lombardi.


(21.04.2008 RV)Papa u kthye sot në Romë, duke përfunduar shtegtimin e tij apostolik në SHBA. “Shtegtim i pasur me shumë ngjarje të paharrueshme”. Këtë theksoi Benedikti XVI, duke folur për vizitën e tij në SHBA e në OKB, që përfundoi mbrëmë me ceremoninë e lamtumirës në Aeroportin Xhon Kenedi të Nju Jorkut, në praninë e 50 mijë vetëve. Ceremonia filloi me fjalimin e zëvendës-presidentit Çeni, që e përshëndeti Papën në emër të qeverisë. Ati i Shenjtë iu përgjigj duke e falënderuar për mikpritjen e duke e siguruar se lutet për të gjithë banorët e SHBA-së e për mbarë botën, që e ardhmja të sjellë më shumë vëllazërim e solidaritet, respekt reciprok, mirëkuptim e besim në Hyjin, Atin tonë që është në qiell.
Ditën e fundit të shtegtimit – vizita historike në Graund Zirou dhe Mesha përfundimtare në Yankke Stadium (Jenki Steidium) të Nju Jorkut, me pjesëmarrjen entuziaste të më se 60 mijë vetëve. Ishte një kremtim eukaristik solemn, me një skenografi liturgjike tepër prekëse, pasuruar me tinguj të zgjedhur muzikorë, që të kujtonte menjëherë se po kremtohej një jubilar i madh: 200 vjetori i krijimit të dioqezave të Nju Jorkut, të Bostonit, të Filadelfies e të Luisvilit.
Krishti, shpresa jonë”: tema e shtegtimit apostolik të Benediktit XVI në SHBA, u ndje fuqimisht në të gjitha veprimtaritë e Atit të Shenjtë, edhe në çastin simbolikisht më prekës të udhëtimit, kur Papa vizitoi Graund Zirou. Por për komentin edhe bilancin e parë të gjithë shtegtimit - ju ftojmë të ndiqni drejtorin e Sallës vatikanase të Shtypit dhe të Radios sonë, Atë Federiko Lombardi:

Përgjigje: - Sigurisht shpresa është çelësi kryesor për interpretimin e këtij shtegtimi të Papës në Amerikë. E edhe çasti tepër i rëndë, që të kujton një tragjedi të tmerrshme, duhet interpretuar nën shenjën e shpresës, të shërimit të plagëve. Ishim në vendin-simbol të urrejtjes, të urrejtjes pa kuptim, të urrejtjes misterioze, të madhe, mohuese të dinjitetit të njeriut e të jetës njerëzore. Por nuk duhet harruar se ishim edhe në vendin që të kujton solidaritetin e madh, impenjimin vetëmohues, për të shpëtuar viktimat e kësaj tragjedie. Një vend ku shumë flijuan jetën për të tjerët. Një vend ku kërkohet, për të gjetur themelin: Graund Zirou do të thotë të rifillosh nga e para ndërtimin mbi shkëmb, siç janë ndërtuar të gjithë rrokaqiejtë (grataçelet) e Manhatanit. Do të thotë të rindërtosh, për të shkuar lart! Mendoj se ky është vërtetë një simbol i udhëtimit të shpresës, që na kujton se: “Ky vend flet për urrejtje të madhe, por na kujton edhe se ne mund të rindërtojmë mbi dashurinë, mbi mirëkuptimin reciprok, mbi vlerat e përbashkëta, që janë më të forta se vdekja.

 
Pyetje: - Pamjet nga lutja e Papës në Graund Zirou ishin thellësisht prekëse: notat e gajdes, tingëllimi i violonçelit, por sidomos, heshtja e thellë e lutja. Ishte një shkëputje tepër e ndjeshme nga pamjet e deriatëhershme, përplot me harenë e turmës në të dyja anët e Bulevardit të Pestë e me duartrokitjet në Kombet e Bashkuara. Ndjehej një frymë mistike në Graund Zirou…

 
Përgjigje: - Heshtja e lutja ishin atmosfera më e përshtatshme për ta jetuar këtë çast. E ne e dimë se shumë njerëz, shpirtërisht të pranishëm, edhe përmes mjeteve të komunikimit, e ndoqën lutjen me respekt e emocion, si të ishin aty pranë. Ishte skenar i përshtatshëm për lutje e për respekt, përballë misterit, përballë dhimbjes së thellë të Njeriut, por edhe një pikë shpirtërore në të cilën takohej mbarë njerëzimi. Ndonëse, në dukje, ishte çasti më i heshtur e më i matur, besoj se ndoshta, ishte edhe çasti më i ndjekur i gjithë shtegtimit...

 
Pyetje: – Nesër do të bëhet bilanci i plotë i këtij shtegtimi apostolik, por ne mund të skicojmë që sot disa nga pikat kryesore të vizitës…

 
Përgjigje: - Po. Mendoj se duket qartë që shtegtimi i kapërceu të gjitha parashikimet, duke ia arritur plotësisht qëllimit: takimit ndërmjet Papës e popullit amerikan, si takim miqësie e respekti, njohjes së karakteristikave pozitive të këtij populli dhe thirrjes së tij për t’i shërbyer mbarë njerëzimit. U arrit plotësisht edhe qëllimi i inkurajimit të Kishës katolike amerikane, që kohët e fundit jetoi çaste të vështira, pasojë e shkandujve tashmë të njohur. Papa i dha një hov të ri, duke e nxitur ta drejtojë shikimin nga e ardhmja, ta kapërcejë dhimbjen e viteve të shkuara e ta kthejë përvojën e trishtuar, të dhimbshme, të mëkatit, në pikënisje për ta ndjerë më thellë përgjegjësinë, për të ngjallur shpresat e për t’i dhënë, kështu, plot entuziazëm e dinjitet, shoqërisë amerikane, një kontribut me karakter edukativ, me karakter baritor, me karakter shpirtëror.
Edhe çasti i lumtur i takimit me të rinjtë, të shtunën e kaluar, dëshmoi se kjo Kishë e ka të ardhmen përpara.

 
Pyetje: - Me rëndësi të dorës së parë edhe vizita e Papës në OKB…

Përgjigje: - Sigurisht, edhe çasti i vizitës në OKB, që pati një natyrë disi të veçantë, në krahasim me çastet e ndryshme të takimit me popullin e me Kishën amerikane , por i përcolli një mesazh të madh mbarë njerëzimit. Nuk ishte mesazh i bujshëm, por kjo nuk ia pakëson aspak vlerën, pikërisht sepse është mesazh që meriton të reflektohet e të thellohet nga përfaqësuesit e popujve, për të rigjetur edhe këtu bazën e ndërtimit të të drejtave njerëzore, të dinjitetit të njeriut, bazën e fuqishme, mbi të cilën mund të ndërtohet pa frikë ardhmëria.

E ndërsa flasim për ardhmëri të sigurtë, pa frikën e përsëritjes së skenave tragjike të së kaluarës, nuk mund të mos kujtojmë lutjen që Benedikti XVI i drejtoi Hyjit nga Graund Zirou me këto fjalë të thjeshta, por thellësisht prekëse:
 
O Zot i paqes, jepi paqen tënde kësaj bote plot dhunë -
Paqe në zemrat e të gjithë burrave e grave,
e paqe ndërmjet Kombeve të tokës!
Bëj t’i kthejnë hapat në udhën tënde të dashurisë,
ata që i kanë mend e zemër
të prishura nga urrejtja.
Ndihmona e ngushëllona,
përforcona në shpresë
e na jep urti e guxim
të punojmë pa u lodhur kurrë për një botë
ku mbretëron paqja e dashuria e vërtetëndërmjet Kombeve e në zemrat e të gjithëve!







All the contents on this site are copyrighted ©.