2008-04-21 17:04:58

Ndoshta në vitin 2010, Kroacia në Bashkimin Evropian


(21.04.2008 RV)Dy kapituj të rinj – energjia dhe transporti – u hapën për negociatat e integrimit të Kroacisë në Bashkimin Evropian. Për sektorin energjitik, Zagrebi duhet të vendosë rregulla të reja për shfrytëzimin e hidrokarbureve dhe të energjisë bërthamore. Përsa i përket transporteve, Bashkimi Evropian kërkon përpjekje më të mëdha për ratifikimin e marrëveshjes mbi zonën e përbashkët ajrore. Brukseli do të vendosë në tetor nëse do të mbyllë bisedimet në vitin 2009, duke bërë të mundur integrimin formal në vitin 2010.


Flaka Olimpike në Malajzi. Masa të mëdha sigurie janë marrë në Kuala Lumpur, ku janë arrestuar disa vetë për motive jo të qarta. Ndërkaq, qeveria australiane autorizoi praninë e 6 paraushtarakëve kinezë në rrugën që flaka do të bëjë në Kanberrë më 24 prill. E kritikat e Parisit ndaj politikës kineze në Tibet patën si përgjigje bojkotimin e prodhimeve franceze nga mijëra kinezë. Parisi ka dërguar emisarët e vet në Pekin për të shuar disi polemikat.


Krerët e Hamasit mund të pranojnë një marrëveshje paqeje me Izraelin, nëse kjo miratohet me referendum nga palestinezët. Deklarata është e ish-presidentit amerikan Xhimi Karter, i cili u takua pikërisht me përfaqësues të Hamasit në Damask, gjatë ditëve të kaluara. Këto bisedime janë kritikuar ashpër nga SHBA-të dhe Izraeli, në një kohë kur në terren vazhdon dhuna.







All the contents on this site are copyrighted ©.