2008-04-21 16:53:57

Emergjenca ushqimore në qendër të Konferencës së UNCTAD-it në Gana


(21.04.2008 RV)Filloi dje në Akkra të Ganës Kuvendi XII ministerial i UNCTAD-it, Konferencës së OKB-së për tregtinë dhe zhvillimin. Tema e sivjetme është “Të shfrytëzojmë mundësitë dhe sfidat e globalizimit për zhvillimin”. Një vend të rëndësishëm do të zenë propozimet e shoqërisë civile. Të dëgjojmë Serxho Marelin, president i Shoqatës së ojq-ve(organizata jo qeveritare) italiane, në mikrofonin tonë:
Kronika e këtyre ditëve tërheq vëmendjen e krejt publikut ndërkombëtar ndaj problemit të madh afrikan, që është pasiguria ushqimore. Është paradoksale që me rregullat tregtare të vendosura nga Organizata Botërore e Tregtisë, vende prodhuese bujqësore e vende që deri pak dekada më parë ishin eksportues të orizit, drithërave, të produkteve bujqësore, sot janë jo vetëm importues, por edhe me popullsi të uritur.
Shumë vende në zhvillim preferojnë krijimin e tregjeve rajonale, pra tregjeve më të kufizuara, që lejojnë një shfrytëzim më të mirë ekonomik. Si përputhet kjo me fenomenin e globalizimit?
Po, është një koncept që ka të bëjë me një parim të theksuar edhe nga Forumi i shoqërive civile. Është e nevojshme mbrojtja e këtyre tregjeve. Konkurrenca, shpesh e pandershme, bën që këto tregje të pushtohen nga prodhime, të cilat shiten nën çmimin real dhe pengojnë prodhuesit lokalë në shitjen e prodhimeve të tyre. Tregjet rajonale janë mënyra për të forcuar këto ekonomi të dobta, që t’i bëjnë ballë tregut të madh ndërkombëtar të sunduar nga ndërmarrjet shumëkombëshe. Ne flasim për sovranitet ushqimor, pra jo vetëm për të drejtën që të gjithë të kenë ushqim në sasi e cilësi të mjaftueshme, por edhe për të drejtën e prodhimit sipas traditave, kulturës dhe metodave të çdo kombi e populli.







All the contents on this site are copyrighted ©.