2008-04-21 18:08:23

Dhimbja e Papës për vdekjen e kardinalit kolumbian, Alfonso Lòpez Truhiljo.


(21.04.2008 RV)Më 19 prill, në sa Ati i Shenjtë vijonte shtegtimin apostolik në SHBA, në Romë, pas një sëmundje të rëndë, ndërronte jetë, në moshën 72 vjeçare, kardinali Alfonso Lòpez Truhiljo, kryetar i Këshillit Papnor për Familjen.
Mesha për shpirt të kardinalit të ndjerë do të kremtohet nga Dekani i Kolegjit Kardinalor, kardinali Angjelo Sodano, të mërkurën e ardhshme, në elterin e katedrës së Bazilikës vatikanase. Do ta kryesojë vetë Papa, që do të mbajë edhe homelinë e rastit.
Kardinali Truhiljo lindi më 8 nëntor 1935 në Kolumbi; studioi në Universitetin Papnor Angjelikum në Romë, u rikthye në atdhe, ku shërbeu në sferat më të larta të Kishës në Kolumbi e në Amerikën Latine.Në vitin 1971, Papa Pali VI e emëroi kryeipeshkëv ndihmës të Bogotasë; më 1979 u zgjodh sekretar i CELAM (Konferenca Ipeshkvnore e Amerikës Latine) ndërsa më 1983, edhe kryetar. U krijua kardinal nga Gjon Pali II, i cili më pas e thirri të drejtonte Këshillin Papnor për Familjen. Kështu emri i tij u lidh deri në fund të jetës me punën baritore familjare.







All the contents on this site are copyrighted ©.