2008-04-20 18:04:36

Shenjtorët e Javës sipas Kalendarit kishtar


(20.04.2008 RV)Sot Kisha katolike kremtoi të Dielën pestë të Pashkëve.

U përkujtuan edhe Shën Aniçeti, papë, Shën Anjezja e Montepulçianos, virgjër domenikane e Shën Ermenexhildi.

Nesër, e hënë, do të përkujtohen Shën Anselmi, kryeipeshkëv i Kantërbërit e doktor i kishës; Shën Apoloni, filozof e martir romak e Shën Konradi nga Parzhami, laik kapuçin. Na kujtojnë se feja e dashuria shkojnë krah për krah. Në se njeriu beson vërtetë në Hyjin, nuk mund të mos e pranojë Fjalën e tij, të shprehur në dhjetë udhërimet, ndërmjet të cilave, i pari, urdhëri për ta dashur Zotin e njëri-tjetrin!

Lidhjen ndërmjet Hyjit e njeriut mund ta quajmë paqe. Me që Jezusi është paqja jonë, Ai duhet të rrijë gjithnjë me ne. Vetëm kështu mund ta gjejmë qetësinë e plotë shpirtërore, larg çdo trazimi e frike. Këtë na kujton, të martën, liturgjia e festës së Shën Abondit, misionar; Shën Soterit, papë; shën Kajos, papë e Shën Agapitos, papë.

Jeta jonë është Jezusi, gjë që do të thotë se larg tij jemi të kotë, madje të vdekur. Mjafton të kujtojmë shembëlltyrën e hardhisë e të shermendëve, përmes së cilës Jezusi tregon qartë se hardhia është ai Vetë. Është ky reflektimi i së mërkurës, kur Kisha do të përkujtojë Shën Gjergjin martir, që tradita shqiptare e quan ‘Krushku i pranverës’; Shën Adalbertin, ipeshkëv i Pragës e martir dhe Shën Marinë Gabriela Sagedù, virgjër çisteçense .

E enjtja është dita e fesës së Shën Fedelit të Sigmaringen, meshtar kapuçin e martir dhe e Shën Maria-Elizabetës Heselblad, themeluese e brixhidineve. Liturgjia e festës na kujton se gëzimin e plotë të jetës mund ta gjejmë vetëm duke iu bindur plotësisht vullnetit të Hyjit Atë, ashtu si Krishti.

Të premten do të përkujtohet Shën Marku ungjilltar: na kujton se Ungjilli u përket mbarë popujve të tokës. Dishepujt që janë ngarkuar me detyrën e vështirë të kumtimit të tij, kanë gjithnjë përkrah vetë Zotin.

E shtuna, ditë e festës së Shën Kletit, papë e martir, na kujton se Hyji është Ati ynë e ne, populli i tij. Ndërsa e vetmja provë që na bind se jemi vërtetë dishepujt e Jezusit, është ecja në rrugën e Tij të Kryqit.







All the contents on this site are copyrighted ©.