Poezia e lirisë dhe tragjedia e relativizmit. "E vërteta është një person: Jezu Krishti",
u tha Papa të rinjve në seminarin e Nju Jorkut.
(20.04.2008 RV)Gjatë takimit me të rinjtë në seminarin e Shën Jozefit në Nju
Jork, Papa u ndal tek tema e lirisë së individit dhe përdorimit të saj. Liria – theksoi
Benedikti XVI – është një vlerë e brishtë. Mund të keqkuptohet ose të keqpërdoret.
Kështu, në vend që të çojë drejt lumturisë, të cilën e presin të gjithë prej saj,
çon drejt skenarit të errët të manipulimit. I hap rrugë atyre që kanë një plan të
fshehtë për të na i marrë mendtë e për të krijuar konfuzion. A e keni vënë re – pyet
Papa - sa shpesh përmendet liria, pa e kujtuar asnjëherë të vërtetën mbi njeriun? “Sot
ka nga ata që pohojnë se respektimi i lirisë së individit e bën të panevojshëm kërkimin
e së vërtetës, duke përfshirë edhe të vërtetën mbi të mirën e mbi kuptimin e saj.
Në disa ambiente, të flasësh për të vërtetën do të thotë të ngjallësh grindje ose
përçarje, prandaj mendohet se ajo duhet kufizuar vetëm në sferën private. E në vend
të së vërtetës – apo më mirë, të mungesës së saj – është përhapur ideja se, duke vlerësuar
gjithçka pa dallim, sigurohet liria e çlirohet ndërgjegjia. Kjo quhet relativizëm”. Por
cili është qëllimi i kësaj lirie që, duke injoruar të vërtetën, ndjek çka është e
rreme dhe e padrejtë? Sa të rinjve u zgjatet një dorë e cila, në emër të lirisë apo
të përvojës, i udhëheq drejt drogës, drejt pështjellimit moral e intelektual, drejt
dhunës, humbjes së respektit për vetveten e madje, drejt dëshpërimit e kështu, tragjikisht,
drejt vetëvrasjes? “E vërteta nuk imponohet. Nuk është grumbull rregullash.
Është zbulimi i të Vetmit, që nuk na tradhëton kurrë; i të Vetmit që mund t’i besojmë
gjithnjë. Duke kërkuar të vërtetën arrijmë të jetojmë sipas fesë, sepse, në fund të
fundit, e vërteta është një vetje: Jezu Krishti". E sërish, Papa përsëriti
atë që u tha edukatorëve katolikë në Uashington, shprehur qartë edhe në Enciklikën
“Spe Salvi”. Liria e vërtetë nuk do të thotë të çlirohesh nga impenjimet, por të impenjohesh
për të tjerët, ashtu si Krishti, shembull e model i jetës së krishterë. E këtu
Ati i Shenjtë hyri në poezinë e simboleve të Pashkëve, duke kujtuar simbolin e dritës
së Krishtit, që i fton të rinjt të bëhen yje, për t’u ndriçuar të tjerëve rrugën drejt
Krishit, rrugë e faljes, e pajtimit, e përvujtërisë, e gëzimit dhe e paqes. Por
nganjëherë, vërejti Papa Racinger, kemi ngasjen të mbyllemi brenda vetes, të dyshojmë
në forcën e shkëlqimin e Krishtit, ta kufizojmë horizontin e shpresës. Prej këndej
thirrja: “Guxim! Larmia e përvojës së shenjtorëve për praninë e Zotit na këshillon
ta zbulojmë sërish gjerësinë dhe thellësinë e krishterimit… Nganjëherë konsiderohemi
si njerëz që flasin vetëm për çka nuk lejohet. Asgjë s’mund të jetë më larg së vërtetës!
Dishepullimi i vërtetë i krishterë karakterizohet nga ndjenja e mahnitjes. Jemi para
atij Zoti, të cilin e njohim dhe e duam si mik, para madhështisë së krijimit e bukurisë
së fesë sonë të krishterë”. Guxim pra, feja e krishterë është publike, për
të gjithë, por Papa nuk harron edhe sferën private. Gjëja më e rëndësishme, u tha
të rinjve, është të krijoni marrëdhënie personale me Zotin përmes lutjes. Zoti, për
vetë natyrën e tij, flet, dëgjon, përgjigjet. E sërish fjalët e Atit të Shenjtë
tingëllojnë si ftesë poetike: “Shihni përreth me sytë e Krishtit, dëgjoni me veshët
e tij, mendoni e kuptoni me zemrën dhe shpirtin e tij. Gatituni të jepni gjithçka
për të vërtetën dhe drejtësinë, siç bëri Ai…”.