2008-04-20 09:42:04

Papa në mesin e të rinjve me të meta fizike: Jeta juaj është dhuratë e Zotit


(20.04.2008 RV) RealAudioMP3 Pasditja e djeshme e Atit të Shenjtë në Nju Jork (natë në Evropë) u karakterizua nga takimi me të rinjtë. Papa shkoi në Seminarin e Shën Jozefit, ku u prit nga kryeipeshkvi i Nju Jorkut, kardinali Eduard Igën dhe nga rektori, imzot Xherald Uelsh. Në kapelën e seminarit, Benedikti XVI u takua me rreth 50 të rinj me të meta fizike, të cilët e përshëndetën dhe i dhuruan një pikturë. Ati i Shenjtë deshi t’i takonte të parët, t’u kumtonte kujdesin dhe vëmendjen e tij ndaj tyre, para se të pritej nga rreth 20 mijë të rinj në fushën sportive të seminarit. Në fjalën që u drejtoi atyre që bota i quan “të aftë, por ndryshe nga të tjerët”, Papa Racinger vuri në dukje se jeta e këtyre të rinjve, pavarësisht se me të meta fizike, është dhuratë e Zotit, i cili u ka dhënë edhe cilësi e talente, që duhen shfrytëzuar për t’i shërbyer Hyjit dhe shoqërisë. Por, Ati i Shenjtë nuk mungoi edhe ta shohë të vërtetën në sy e ta vendosë jetën e këtyre të rinjve në këndvështrimin e fesë e të përvojës së Jezu Krishtit në kryq:
“Nganjëherë nuk është e lehtë të gjesh arësye për atë që duket thjesht si një vështirësi për t’u kapërcyer ose si një dhimbje për t’u përballuar. Pavarësisht nga kjo, feja na ndihmon ta shpalosim horizontin përtej nesh e ta shohim jetën, ashtu si e sheh Zoti”.
Papa u kërkoi të rinjve me të meta fizike të luten për botën, për njerëzit që akoma nuk e njohin Jezu Krishtin e edhe për të, pasi siç tha në mënyrë simpatike “sapo kam mbushur edhe një vit tjetër. Koha fluturon”. Por dashuria e të pranishmëve e mbështolli Atin e Shenjtë edhe këtë herë. Një detaj: duke i dhuruar një pikturë, një vajzë e vogël i tha Benediktit XVI:
“Atë i Shenjtë, faleminderit që harxhove kohën për të vizituar kishën tonë në Nju Jork. Prania juaj na frymëzon për të qenë të krishterë më të mirë e për ta dashur më shumë Jezusin. Qoftë ajo për të gjithë botën një kujtesë se jeta njerëzore është e shenjtë edhe kur është e vështirë. Merreni këtë pikturë si falenderimin tonë për vizitën që na bëtë sot”.







All the contents on this site are copyrighted ©.