2008-04-20 17:59:55

Në Graund Zirou Papa çon mesazhin e shpresës përballë veprës të së keqes: kështu shprehet në mikrofonin tonë Atë Lombardi.


(20.04.2008 RV)RealAudioMP3 “Krishti shpresa jonë”: tema e shtegtimit apostolik të Benediktit XVI në SHBA u ndje fuqimisht si dje, në katedralen e Shën Patrikut dhe në takimin me të rinjtë në seminarin e Shën Jozefit, ashtu edhe sot, në Ground Zero (Graund’Zirou). Papa ngjalli në shpirtin e besimtarëve atë shpresë, që është zemra e kësaj vizite në SHBA. Ja edhe reflektimi i drejtorit të Sallës vatikanase të Shtypit dhe të Radios sonë, Atë Federiko Lombardit, me telefon nga Nju Jorku:

Pyetje: - Atë Lombardi, dje për Atin e Shenjtë, në Fifth Evenju (Bulevardi i Pestë) të Nju Jorkut ishte mbledhur një turmë vigane njerëzish, e cila e brohoriste me atë entuziazëm, që e ka shoqëruar qysh në fjalët e para këtë udhëtim. Si i priti Ati i Shenjtë këto shprehje korale dashurie?

Përgjigje: - Natyrisht, me gëzim shumë të madh. Shihet se Papa është i kënaqur e se, me gjithë thjeshtësinë e tij, është mirënjohës për këto shprehje të dashurisë, të ngrohtësisë, të mirëkuptimit. Edhe në fjalimet e tij dëshmoi se i kupton vlerat më pozitive të historisë së popullit amerikan. E përgjigja ishte entuziazmuese. Dje, duke folur jashtë teksteve zyrtare në kanalin e një radioje katolike, Papa theksoi: “Unë erdha t’ju përforcoj në fe, por më duket se jeni ju që më përforcuat, me përgjigjen tuaj, me entuziazmin tuaj, me dashurinë tuaj”. Ja, kjo është shprehja më tipike e sjelljes së Papës, që takohet plot thjeshtësi e vetvetishmëri me njerëzit; që gëzohet kur tjetri e kupton, që gjen ngushëllim për veten, për shërbimin e tij e për moshën e tij, që nuk është mosha e forcës, sepse moshë e shkuar, prandaj e di se ka nevojë për ndihmë, për inkurajim, për përgjigje pozitive, jo vetëm nga ata që bashkëpunojnë me të, por nga të gjithë ata që e dëgjojnë dhe e kuptojnë, dmth që e ftojnë të vijojë me gëzim e hov ministerin e tij.

Pyetje: - Sot Papa kremtoi një nga çastet më simbolike të shtegtimit të tij, vizitën në Ground Zero (Graund’Ziərou): me ç’ sy ta shikojmë këtë ngjarje kaq të pritur?

Përgjigje: - Më duket e qartë se dëshiron që edhe ky çast, të jetë çast shprese. Më parë u fol për nazizmin e dëmet e rënda që i solli njerëzimit në shekullin e kaluar. Në Graund Zirou shohim pasojat e urrejtjes në ditët tona. E pikërisht këtu, ne gjunjëzohemi për t’u lutur në heshtje, përpara syve të Zotit, për t’i kërkuar dritë e ngushëllim, që të mund të shpresojmë përsëri e përsëri edhe përballë kraterit të Graund Zirou.
Me lutjen e tij, Papa i ftoi të gjithë të kujtojnë se këtu, vërtetë u jetua përvoja e urrejtjes dhe e dhimbjes, por jo më pak, e pikërisht në çastin e tragjedisë, edhe përvoja e solidaritetit dhe e dashurisë, sepse shumë njerëz dhanë jetën e tyre, për të shpëtuar të tjera jetë. Ky është një mesazh që vijon e që duhet të bëhet gjithnjë më i fuqishëm, në mënyrë që të shkohet përpara, me dëshirën për të ndërtuar së bashku një shoqëri më të mirë, duke ia prerë rrënjët urrejtjes e terrorizmit e duke u ngritur përsëri në këmbë, edhe pas goditjeve të tilla. Kështu mund të themi se edhe ky është një mesazh i madh, jo vetëm për popullin e Amerikës, po edhe për të gjithë njerëzimin. Ashtu si fjalimi drejtuar Kombeve të Bashkuara ishte çasti i mesazhit për bazën e respektit e të dinjitetit të njeriut, për të ecur përpara në rrugën e pajtimit të njerëzimit, kështu edhe Graund Zirou është çasti i lutjes, në heshtje, përballë shfaqjes të së keqes, me dëshirën për të shikuar përpara me shpresë e përgjegjësi të plotë.







All the contents on this site are copyrighted ©.