2008-04-20 18:59:20

Në Graund Zirou, hon i historisë, Papa lutet për paqen në botë e në zemrat e njerëzve.


(20.04.2008 RV)O Hyj i dashurisë, i mëshirës e i pajtimit,
drejtoi sytë e Tu mbi ne, popull i feve e i traditave të ndryshme, mbledhur sot në këtë log, skenë e dhunës dhe e dhimbjes së pabesueshme.
Të lutemi që, me mirësinë Tënde,
t’u japësh pushimin e pasosur e dritën e pambaruar
të gjithë atyre që vdiqën në këtë vend;
të parëve, që vrapuan të japin ndihmën e tyre:
zjarrfikësve, policëve, punonjësve të ndihmës së shpejtë e personelit të Kapitenerisë së Portit, së bashku me të gjithë burrat e gratë e pafajshme, viktima të kësaj tragjedie vetëm sepse puna e tyre e shërbimi i tyre i thirri këtu më 11 shtator 2001.
Të lutemi, me mëshirën tënde,
t’i shërosh ata
që sot, për shkak të pranisë së tyre këtu
i ndjejnë fort dhimbjet e plagëve e të sëmundjeve .
Shëroi, o Zot, edhe familjet, që vuajnë e qajnë ende,
e të gjithë ata që humbën të dashurit në këtë tragjedi.
Jepu forcën ta vijojnë rrugën e jetës
me guxim e shpresë.

Kujtojmë edhe ata që vdiqën,
u plagosën
e të gjithë ata që humbën njerëzit e dashur
në të njëjtën ditë, në Pentagon e në Shanksvil, në Pensilvani.
Zemrat tona bëhen një me zemrat e tyre,
Rrahin njëherësh me to.
Lutja jonë përfshin gjithë dhimbjen e tyre.

O Zot i paqes, jepi paqen tënde kësaj bote plot dhunë -
Paqe në zemrat e të gjithë burrave e grave,
e paqe ndërmjet Kombeve të tokës!
Bëj t’i kthejnë hapat në udhën tënde të dashurisë,
ata që i kanë mend e zemër
të prishura nga urrejtja.
O Hyj i mirëkuptimit:
të dërrmuar nga përmasa e përbindshme e kësaj tragjedie,
kërkojmë dritën tënde e udhëheqjen Tënde,
ndërsa jemi para një ngjarjeje kaq të llahtarshme.
Të lutemi që njerëzit, jetët e të cilëve u kursyen,
të jetojnë në një mënyrë të tillë,
që të mos e bëjnë të kotë
flijimin e atyre që këtu e humbën jetën.
Ndihmona e ngushëllona,
përforcona në shpresë
e na jep urti e guxim
të punojmë pa u lodhur kurrë për një botë
ku mbretëron paqja e dashuria e vërtetë
ndërmjet Kombeve e në zemrat e të gjithëve!







All the contents on this site are copyrighted ©.