2008-04-20 17:58:46

Në Graund Zirou, hon i historisë, Papa lutet për paqe në botë e në zemrat e njerëzve.


(20.04.2008 RV)RealAudioMP3 Dita e gjashtë dhe fundit e shtegtimit VIII apostolik të Benediktit XVI në SHBA, filloi me një nga ngjarjet më të pritura, me lutjen në Ground Zero (Graund’Zirou). Në orën 9. 30 me orën vendase, 15. 30 me atë evropiane, automobili i Papës u ndalua në atë vend, ku dikur lartoheshin dy rrokaqiejt binjakë “Tuin Tauers”.
I shoqëruar nga kardinali Eduard Igën, Ati i Shenjtë arriti në Bed Rok, në fundin e gropës së hapur nga shembja, në Graund Ziero. Të pranishëm, kryetari bashkisë së Nju Jorkut, Majkëll Blumberg, governatorët e Nju Jorkut e të Nju Xhersit si dhe 24 përfaqësues të protagonistëve të 11 shtatorit.
Gjëja e parë që të bie në sy në këtë vend kaq tragjik ku, si në një film tmerresh, humbën jetën tri mijë vetë, është një kryq 7 metra i lartë: dy copa trarësh prej çeliku, të nxjerra prej gërmadhash nga një punëtor, një ditë pas tragjedisë, e të kryqëzuara për t’i siguruar njerëzit e pushtuar nga tmerri, se Hyji nuk i kishte braktisur.
Sipas shumë njujorkezëve, vizita e sotme e Papës në këtë vend, ka të njëjtin kuptim:
E këtë kuptim ka edhe lutja që u lartua nën Kryqin e besimit e të shpresës, në një vend ku më 11 shtatorin e vitit 2001 ndokush pati bërë pyetjen tepër të vështirë “Ku ishte Zoti?”.

Lutja
O Hyj i dashurisë, i mëshirës e i pajtimit,
drejtoi sytë e Tu mbi ne, popull i feve e i traditave të ndryshme, mbledhur sot në këtë log, skenë e dhunës dhe e dhimbjes së pabesueshme.
Të lutemi që, me mirësinë Tënde,
t’u japësh pushimin e pasosur e dritën e pambaruar
të gjithë atyre që vdiqën në këtë vend;
të parëve, që vrapuan të japin ndihmën e tyre:
zjarrfikësve, policëve, punonjësve të ndihmës së shpejtë e personelit të Kapitenerisë së Portit, së bashku me të gjithë burrat e gratë e pafajshme, viktima të kësaj tragjedie vetëm sepse puna e tyre e shërbimi i tyre i thirri këtu më 11 shtator 2001.
Të lutemi, me mëshirën tënde,
t’i shërosh ata
që sot, për shkak të pranisë së tyre këtu
i ndjejnë fort dhimbjet e plagëve e të sëmundjeve .
Shëroi, o Zot, edhe familjet, që vuajnë e qajnë ende,
e të gjithë ata që humbën të dashurit në këtë tragjedi.
Jepu forcën ta vijojnë rrugën e jetës
me guxim e shpresë.

Kujtojmë edhe ata që vdiqën,
u plagosën
e të gjithë ata që humbën njerëzit e dashur
në të njëjtën ditë, në Pentagon e në Shanksvil, në Pensilvani.
Zemrat tona bëhen një me zemrat e tyre,
Rrahin njëherësh me to.
Lutja jonë përfshin gjithë dhimbjen e tyre.

O Zot i paqes, jepi paqen tënde kësaj bote plot dhunë -
Paqe në zemrat e të gjithë burrave e grave,
e paqe ndërmjet Kombeve të tokës!
Bëj t’i kthejnë hapat në udhën tënde të dashurisë,
ata që i kanë mend e zemër
të prishura nga urrejtja.
O Hyj i mirëkuptimit:
të dërrmuar nga përmasa e përbindshme e kësaj tragjedie,
kërkojmë dritën tënde e udhëheqjen Tënde,
ndërsa jemi para një ngjarjeje kaq të llahtarshme.
Të lutemi që njerëzit, jetët e të cilëve u kursyen,
të jetojnë në një mënyrë të tillë,
që të mos e bëjnë të kotë
flijimin e atyre që këtu e humbën jetën.
Ndihmona e ngushëllona,
përforcona në shpresë
e na jep urti e guxim
të punojmë pa u lodhur kurrë për një botë
ku mbretëron paqja e dashuria e vërtetëndërmjet Kombeve e në zemrat e të gjithëve!

Në përfundim të lutjes, Ati i Shenjtë ndezi një qiri dhe dha bekimin apostolik pikërisht atje, ku shtatë vjet më parë lartohej “The World Trade Center” (Dhe Uorld Trejd Sentër) së cilës më 2012 do t’ia zërë vendin “The New World Trade Center” (Dhe Nju Uorld Trejd Sentër), vepër e arkitektit amerikan, Daniel Libenski.







All the contents on this site are copyrighted ©.