2008-04-20 18:05:20

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës.


(20.04.2008 RV)20 prill: Françesku i Asizit, turpi i të jatit, nderi i Kishës.
Punët shkojnë mos më keq ndërmjet Françeskut e të jatit, zotit Bernardone, një nga tregtarët më të pasur të borgjezisë së Asizit. Para së gjithash, sepse Françesku, me pretekstin se dëshiron të ndërtojë Kishën e Shën Damianit, ia ka shitur të tëra stofat më të mira. E pastaj, sepse nuk mund t’i durojë më huqet e të birit. I ka ardhur në majë të hundës.
Kur Françesku ishte ende fëmijë, njerëzit që hynin në dyqan, ankoheshin vazhdimisht për të: dukej qartë se nuk kishte lindur për tregti. Por, që kur i hipi në kokë t’i shërbejë Hyjit, është çmendur fare. Ç’rrezik! E ç’turp i madh! Shkon rrugë më rrugë i palarë, i parruar, me një mjekër të gjatë, duke lypur lëndë ndërtimi për të meremetuar kishën. Tregojnë çudira për të; thonë se ka puthur në buzë një të gërbulur…. Kulmi i marrëzive të Françskeut e i dëshpërimit të të jatit.
“I gjori burrë, ç’e ka gjetur!” – thonë gojët e këqija. Pas rrëmbimit të stofave, Bernardoni kërkon drejtësi, sepse nuk do t’i humbasë paratë që janë fituar duke shitur mallin e tij. Për ta arritur këtë qëllim, e kap Françeskun e e mbyllë në një bodrum për një muaj të tërë. Por Françesku nuk heq që nuk heq dorë nga e tija. Çështja bëhet tepër serioze. Mund të zgjidhet vetëm me ndërhyrjen e ipeshkvit.
Në ditën e caktuar, të gjithë banorët e qytetit mblidhen në sheshin e Shën Marisë së Madhe.
“Dua paratë e mia! Paratë! Paratë e mia!” – ulurin zoti Bernardone.
“Sa i zbehtë është Françesku! Po e gjykojnë si Krishtin! E ai nuk thotë asnjë fjalë” – pëshpërit një vajzë e re.
“ Do t’ia kthesh tët eti pasuritë, që ia rrëmbeve pa miratim e tij?” – e pyet ipeshkvi.
Françesku bën një hap para, e lëshon përdhe kuletën e babait e, me një fije zëri, i thotë: “Lamtumirë!”.
Pastaj kthehet nga turma, heq mantelin, rrobat, këpucët, çorapët… e thotë:
“Deri më sot ky burrë ishte ati im. Po ai dëshiron të më mohojë… Po ia kthej gjithçka i përket. Tani e tutje do të kem një atë të vetëm: Atin tonë që është në qiell”.
Françesku zhvishet lakuriq. I jati skuqet flakë nga turpi. I vjen rëndë nga gjithë ata njerëz, që e shikojnë të birin e vetëm ashtu…
Zonja Pika, e ëma, qan në heshtje.
Ipeshki e pyet: “Dëshiron të ndjekësh Krishtin?”.
Françesku gjunjëzohet për të marrë bekimin.
Ipeshkvi zbret nga froni, e mbulon me mantelin e vet dhe e përqafon me gjithë zemër. Ndokush mërmëron:
“Në Ungjill shkruhet: “Do ta lësh atin e nënën për të më ndjekur…!”.Françesku e ndoqi deri në atë pikë Jezusin, sa në orën e vdekjes, më 3 tetor 1226, kishte në trup plagët e Zotit: shenjat e gozhdave në duar e në këmbë e edhe shenjën e heshtës në kraharor. Françesku është themlues i urdhërit të lypësve, që mba emrin e tij: FRANÇESKAN.







All the contents on this site are copyrighted ©.