(19.04.2008 RV)Të ndjekim
reflektimin e Atë Lombardit: "Që në fillim të vizitës së tij, Benedikti
XVI diti të prekë zemrën e popullit që po viziton, duke kuptuar karakteristikën e
tij themelore: dashurinë për lirinë, shoqëruar nga një ndjenjë e fortë fetare. Amerika
është shtëpia e atyre që duan të marrin frymë lirisht, duke nisur nga liria për të
adhuruar Hyjin në përkim me ndërgjegjen e me bindjet e tyre. Përpara Shtëpisë së Bardhë
Papa kujtoi, me të drejtë, përvojën e etërve themelues e të dokumenteve kryesore të
kombit. Duke u folur ipeshkvijve, kujtoi se shtatorja e lirisë ka qenë
simbol shprese për miliona emigrantë evropianë, që niseshin drejt Amerikës në kërkim
të një jete më të mirë; kujtoi edhe amerikanët e panumërt që dhuruan bujarisht jetën
për mbrojtjen e lirisë, si në atdhe, ashtu edhe jashtë tij. Natyrisht foli
qartë edhe për vështirësitë e sfidat, të cilat nuk mungojnë në shoqërinë e sotme,
duke theksuar posaçërisht aspektin e gjallërisë së vlerave fetare edhe atë të kuptimit
të lirisë, kur rrezikohet ta humbasë bazën e shpirtin e të bëhet sundim i njeriut
mbi njeriun. Por sfidat mund të përballohen vetëm nëse kuptohet mirë identiteti e
thirrja që ka çdo njeri. Gjon Pali II, që kishte vizituar popuj të ndryshëm, ishte
mjeshtër në kujtimin e historisë e të misionit, të dinjitetit e të përgjegjësisë së
tyre, duke i impenjuar kështu në sfidën pozitive, me vështrim nga ardhmëria, për
t’i dhënë familjes njerëzore kontributin e tyre, dhuratën e tyre të veçantë. Këtë
po bën edhe Benedikti XVI, me thellësinë e tij karateristike kulturore e shpirtërore,
për popullin amerikan dhe për Kishën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Jo vetëm
amerikanët, por të gjithë duhet t’i jemi mirënjohës, sepse Amerika ndikon mbi jetën
e mbarë njerëzimit e ka rëndësi të madhe që të ecë në rrugë të drejtë!".