2008-04-19 08:34:36

Papa në takimin ekumenik: Të kthehemi në rrënjët e fesë sonë të krishterë. Krishti në qendër të doktrinës, si për bashkësitë e para.


(19.04.2008 RV)RealAudioMP3 Papa, pasi përshëndeti hebrenjtë shkoi në kishën e Shën Jozefit, ku në mesnatë me orën evropiane, filloi takimi ekumenik me 250 përfaqësues të 10 konfesioneve të krishtera. Kisha është gjithashtu edhe famullia e bashkësisë kombëtare gjermane në Nju Jork, pra shpirtërisht edhe më afër me Papën gjerman.
Pas vlerësimit të punës së bërë në fushën e ekumenizmit, Benedikti XVI nuk mungoi të vërë në dukje mangësitë dhe vështirësitë e rrugës së nisur. Pavarësisht se bota e sotme ka shumë nevojë që të krishterët të flasin me një zë të vetëm, ndarja ndërmjet bashkësive krijon vështirësi në pranimin e Krishtit e të mesazhit ungjillor në botë. Papa nënvizoi se globalizimi i ka ndarë njerëzit në dy ekstreme. Nga njëra anë, kuptohet fare mirë se popujt varen nga njëri-tjetri e nuk mund të zhvillohen vetëm. Kjo hap mundësi për solidaritetin dhe ndarjen e përgjegjësive në nivelin botëror. Por, nga ana tjetër, ndryshimet janë aq të shpeshta, sa njerëzit nuk kanë kohë të përshtaten e mbyllen në individualizëm. Shembull i qartë është ai i përdorimit të elektronikës në botën e komunikimeve, që paradoksalisht i ka shtyrë njerëzit drejt izolimit. Gjithashtu, përhapja e ideologjisë së shekullarizmit bën që të minohet e madje të mos pranohet e vërteta trashendentale:
“Vetë mundësia e dëftimit të Hyjit, e për pasojë e ekzistencës së fesë së krishterë, shpesh vihet në diskutim nga rryma mendimi shumë të përhapura në ambientet universitare, në mas media dhe në opinion publik. Për këto arësye, është e nevojshme më shumë se kurrë një dëshmi besnike e Ungjillit. U kërkohet të krishterëve të japin qartë arësyet për shpresën që ekziston në ta”.
Papa kritikoi ashpër prirjen për të preferuar nganjëherë opcionin lokal të besimit të krishterë, duke u bazuar në të ashtuquajturat “aksione profetike”. Ruhuni nga profetët e rrejshëm, përsëriti Ati i Shenjtë një këshillë të njohur të Jezu Krishtit. Benedikti XVI zgjodhi shembullin e bashkësisë katolike të viteve të para të krishterimit, për të ilustruar se cilat janë bazat e bashkimit ndërmjet të krishterëve. E duke iu referuar bashkësive të para dhe veprave të Apostujve, Papa theksoi:
“…bashkimi i besimtarëve bazohej në integritetin e plotë të shpalljes së besojmës së tyre… Apostujt u detyruan shpesh të japin arësyet e fesë së tyre. Bërthama qendrore e argumentimeve ishte gjithnjë fakti historik i ringjalljes fizike(me korp) të Zotit nga varri. Efikasiteti i predikimit të tyre nuk varej nga “fjalë të kërkuara”(fjalët e mëdhaja) apo nga “dituria njerëzore”, por nga veprimi i Shpirtit Shenjt që ripohonte me autoritet dëshminë e Apostujve”.
Krishti pra ishte qendra e doktrinës së Kishës së parë e bashkësia mblidhej rreth simboleve që garantonin unitetin e saj. Atëherë, si të sigurohet ai bashkim në ditët e sotme? Shpallja e Lajmit të Mirë nuk e ka humbur forcën e vet, por ndoshta, vë në dukje Papa, efektet e relativizmit ndihen edhe mbi doktrinën e krishterë, ashtu si në ideologjinë e shekullarizuar. Pozitivizmi e çon fenë në sferën private të individit dhe e kufizon atë në një përvojë personale:
“Pranimi i këtij mendimi të gabuar do t’i bënte të krishterët të mendonin se në paraqitjen e fesë së krishterë nuk është e nevojshme të nënvizohet e vërteta objektive, sepse nuk duhet bërë tjetër, veçse të ndiqet ndërgjegjia personale e të zgjidhet ajo bashkësi që shkon më mirë sipas shijeve personale të secilit. Si rezultat, shumëfishohen vazhdimisht bashkësitë, që shmangin shpesh strukturat institucionale dhe minimizojnë rëndësinë e doktrinës për jetën e krishterë”.
Kjo ndodh edhe brenda lëvizjes ekumenike, paralajmëroi Ati i Shenjtë. Shpesh doktrina nuk përmendet nga frika se ajo na ndan edhe më tepër. Por mbi kë duhet bazuar atëherë dëshmia e të krishterëve, nëse jo në doktrinën apostolike?
“Vetëm “duke qëndruar të fortë” në bazat e mësimit të sigurtë do të arrijmë t’u përgjigjemi sfidave me të cilat jemi të thirrur të përballemi në një botë që ndryshon. Vetëm kështu mund të japim një dëshmi të qëndrueshme për të vërtetën e Ungjillit dhe për mësimin e saj moral. Ky është mesazhi që bota pret të dëgjojë nga ne”.
Në përfundim të fjalimit, Ati i Shenjtë nënvizoi rëndësinë e lutjes për bashkimin e të krishterëve, sepse “pa lutje – theksoi – strukturat, institucionet dhe programet ekumenike do të privoheshin nga zemra e shpirti i tyre”.
Pas shkëmbimit të mendimeve me përfaqësuesit e krishterë, prej të cilëve Benedikti XVI takoi 15 vetë, Papa u kthye në Rezidencën papnore në Nju Jork për ta përfunduar ditën e premte me kardinajtë e kryesinë e Konferencës Ipeshkvnore amerikane.








All the contents on this site are copyrighted ©.