2008-04-19 19:10:25

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës.


(19.04.2008 RV)19 prill: Domeniku dhe lufta kundër herezisë katare1
Muret e larta të Karkasonit spikasin në horizont. Domeniku apo Deda, ndalohet në mes të rrugës gjithë pluhur e sodit qytetin. Një kalimtar e shikon me përbuzje e i bërtet: “Këput qafën, prift i ndyrë. Nuk duam të të shohim më këtu!”.
Deda është mësuar me sulme të tilla. E kanë me të e, sidomos, me zhgunin që mban. Figura e tij i tërbon njerëzit e pushtuar nga herezia katare
në të gjitha krahinat e Francës jug-perëndimore. Herezia është shtrembërim i rëndë i fesë së krishterë. Katarët besojnë në ekzistencën e dy forcave, forcës të së mirës e të së keqes. Sipas tyre, Hyji mund të shpëtojë nga e keqja vetëm njerëzit e zgjedhur, ata që njihen si njerëz të përkryer, që duhet ta përbuzin e ta mundojnë trupin e tyre e të mendojnë vetëm për shpirtin. Duhet të jetojnë në varfëri, të mos hanë kurrë mish, të martohen e të kenë fëmijë. Shihet qartë, pra, se katarët, ndonëse e mbajnë veten si të krishterë, janë tepër larg nga krishtërimi. Krishtërimi na kujton se ekziton një Zoti i vetëm, që i do shumë njerëzit e dëshiron t’i shpëtojë të gjithë! Pikërisht këtë përsërit Deda, kudo që shkon. Deda është spanjoll. Gjatë një udhëtimi në Francë, në vitin 1203, ndjen thirrjen për t’i kthyer katarët në rrugën e Zotit, por jo me forcë, siç bëjnë fisnikët e krishterë. Vitet 1209 e 1212 hyjnë në histori si vite betejash gjakatare kundër albigjezëve, emër tjetër ky, me të cilin njihen katarët, sepse qyteti i tyre më i rëndësishëm, është pikërisht Albi. Deda nuk e pranon këtë dhunë: arma e tij e vetme, është dashuria. Edhe pse zona ku banojnë katarët është tepër armiqësore, Deda e viziton mbarë qytetin, u flet albigjezëve e mundohet t’i bindë se gabojnë.
Por, ç’mund të bëjë një njeri i vetëm në një krahinë të tërë? Për këtë arsye, më 1215 Deda themelon urdhërin e vëllezërve predikatarë. Predikatar quhet njeriu që vë fjalën në shërbim të Krishtit, për t’i bindur njerëzit, duke folur me ta. Ashtu si Domeniku, rregulltarët domenikanë, (emër tjetër i vëllezërve predikatarë), jetojnë në varfëri e predikojnë rrugëve, për t’i bindur katarët të bëjnë kthesë e të ecin në rrugën e fesë së vërtetë.
Kështu fillon një histori e gjatë. Domenikanët bëhen gjithnjë më të shumtë e, pasi e çlirojnë jug-perëndimin e Francës nga herezia katare, nisen dy nga dy për të ungjillëzuar zona të tjera, duke u vënë në shërbim të Kishës në të katër anët. E vijonë të nisen edhe sot, sepse udhët e botës kanë ende shumë nevojë për fjalën e tyre!
___1 Katarizmi (nga greqishtja katharoi = ‘i pastër’) ishte një lëvizje heretike, që u përhap në Evropë ndërmjet shekullit XII e të XIV. Ndjekësit e saj quheshin katarë, por edhe albigjezë, nga emri i qyetit francez, Albi.







All the contents on this site are copyrighted ©.