Papa në SHBA: Liria akademike e rëndësishme për punën kërkimore-shkencore
(17.04.2008 RV)Në orën 17 (23 në
Evropë) Papa Benedikti XVI u takua me botën universitare katolike në Universitetin
Katolik të Amerikës. Ky universitet është themeluar nga ipeshkvijtë që në vitin 1807.
Fillimisht ka qenë një qendër formimi pas universitare e më vonë është shndërruar
në universitet efektiv me një qendër arësimimi të vazhdueshme për të rriturit. Në
oborrin e shkollës, 6000 studentë pritën Atin e Shenjtë e në sallën e takimit me Papën
ishin të pranishëm 235 rektorë universitetesh e kolegjesh katolike, 195 përgjegjës
dioqezanë për arësimin dhe përfaqësues të tjerë të docentëve dhe studentëve katolikë,
gjithsej rreth 600 vetë. Një kuriozitet: froni ku u ul Ati i Shenjtë është projektuar
nga katër studentë të universitetit, fitues të konkursit të shpallur për këtë qëllim.
Duke i përshëndetur përzemërsisht, Papa Racinger u shprehu edukatorëve mendimet e
tij mbi natyrën dhe identitetin e arësimit katolik në ditët e sotme. Detyra e edukimit
të brezit të ri – nënvizoi Ati i Shenjtë – është pjesë përbërëse e misionit të Kishës
për shpalljen e Lajmit të Mirë të Ungjillit. Në radhë të parë e mbi çdo gjë, një institucion
edukativ katolik është vendi në të cilin studentët takohen me Zotin e gjallë. Pikërisht
SHBA-të janë të njohura historikisht për kontributin e arësimit katolik në formimin
dhe përparimin e kombit. Në gjirin e profesorëve ka tashmë shenjtorë, që ia kanë kushtuar
jetën edhe edukimit të atyre që të tjerët i kishin lënë mënjanë, si afro-amerikanët
dhe indianët e Amerikës. Por si dallohet një institucion arësimor katolik nga të tjerët.
Papa theksoi: “Identiteti i një Universiteti apo i një shkolle katolike nuk
është thjesht një çështje numri studentësh katolikë. Është çeshtje bindjesh. A besojmë
ne me të vërtetë se vetëm në misterin e Fjalës së mishëruar bëhet i qartë misteri
i njeriut? A jemi me të vërtetë gati t’ia besojmë veten – intelektin dhe vullnetin,
mendjen e zemrën – Zotit? A e pranojmë të vërtetën që Krishti na zbulon? Në universitete
e shkolla a “preket me dorë” feja jonë? A gjen ajo shprehjen e vet të zjarrtë në liturgji,
në sakramente, përmes lutjes, veprave të bamirësisë, nxitjes së drejtësisë dhe respektit
për krijimin e Zotit? Vetëm në këtë mënyrë ne dëshmojmë me të vërtetë se kush jemi
e çfarë mendojmë”. Papa iu referua botës së sotme dhe relativizmit që e karakterizon,
vuri në dukje se “kriza e së vërtetës” e ka bazën në “krizën e fesë” dhe kërkoi që
t’u flitet të rinjve me gjuhën e tyre, në mënyrë që ideja e lirisë, aq shumë e shndërruar
sot, të mos paraqitet si liri individuale për të bërë ç’të duash. Të veprosh si person
i lirë, nënvizoi Ati i Shenjtë nuk do të thotë të mos impenjohesh, por të impenjohesh
me përgjegjësi. Është pikërisht ky lloj formimi, që i dallon shkollat katolike nga
të tjerat dhe përcakton kontributin e tyre në shoqërinë bashkëkohore: “Misioni
primar i Kishës – ungjillëzimi – për të cilin institucionet edukative luajnë një rol
të rëndësishëm, përkon me aspiratën themelore të kombit për të zhvilluar një shoqëri
me të vërtetë të denjë ta gëzojë dinjitetin e njeriut… Në fakt, misioni i Kishës e
përfshin atë në luftën e njerëzimit për të arritur të vërtetën… Duke ngjyer në enën
e diturisë hyjnore, ky mision hedh dritë mbi bazat e moralit dhe të etikës njerëzore
e kujton… se nuk është praktika që krijon të vërtetën, por është e vërteta, që duhet
të shërbejë si bazë për praktikën”. E për të larguar çdo dyshim e interpretim
që ideologjia e shekullarizmit mund t’i bëjë së vërtetës, duke përcaktuar mirë detyrën
e mësuesve e të profesorëve të krishterë, Ati i Shenjtë theksoi: “E vërteta
i kapërcen kufijtë e dijes: njohja e së vërtetës na çon drejt zbulimit të së mirës…
Me bindje, edukatorët e krishterë mund t’i çlirojnë të rinjtë nga kufijtë e pozitivizmit
dhe të rizgjojnë në ta interesin për të vërtetën, për Zotin e për mirësinë e tij.
Në këtë mënyrë, ju do të ndihmoni edhe në formimin e ndërgjegjes, e cila, e pasuruar
nga feja, hap me siguri rrugën drejt paqes së brendshme e respektit për të tjerët”. Vetëm
kështu, edukatorët e krishterë do t’u përgjigjen aspiratave të shoqërisë dhe do të
bëjnë detyrën që pritet prej tyre. Aspekti tjetër i prekur nga Benedikti XVI kishte
të bënte me rëndësinë e dëshmisë së edukatorëve brenda vetë universiteteve e shkollave
katolike. Papa Racinger pohoi rëndësinë e lirisë akademike si vlerë e rëndësishme
e punës së pedagogut: “Ju jeni të thirrur të kërkoni të vërtetën kudo ku ju
çon analiza e kujdesshme e fakteve. Gjithsesi, është rasti të kujtoj se çdo thirrje
për zbatimin e parimit të lirisë akademike për të justifikuar qëndrime kundër fesë
dhe mësimeve të Kishës do të pengonte e madje do të tradhëtonte identitetin e misionin
e Universitetit, një mision që është në thelbin e mësimdhënies së Kishës e nuk është
në një farë mënyre autonom apo i pavarur prej saj. Mësues e administratorë, si në
Universitete, ashtu edhe në shkolla, kanë për detyrë dhe privilegj t’u sigurojnë studentëve
edukimin në doktrinën dhe në praktikën katolike.” Në përfundim, Ati i Shenjtë
inkurajoi mësuesit e katekizmit, si laikët, ashtu edhe rregulltarët, dhe u bëri një
thirrje të veçantë pikërisht rregulltareve e rregulltarëve që të mos e braktisin përkushtimin
e tyre ndaj mësimdhënies, sidomos në zonat më të varfëra.