2008-04-18 18:46:22

Papa në OKB:të drejtat e njeriut duhen të jenë të rrënjosura në drejtësi


18.04.2008 RV)RealAudioMP3 Dita e sotme e shtegtimit të Papës në SHBA filloi shpejt. Në orën 6. 45 me orën vendase, 12. 45 me atë evropiane, Benedikti XVI kremtoi privatisht Meshën Shenjte në kapelën e nunciaturës apostolike të Uashingtonit.
Më pas, nga aeroporti i Bazës Ajrore Andrews (Endrjus) të Uashingtonit u nis, për në Nju Jork, ku arriti pas një ore. Në aeroportin ndërkombëtar ‘John Fitzgeraled Kennedy’ u organizua një pritje informale.
Nga aeroporti, u transferua me helikopter në eliportin Wall Street e pastaj drejtpëdrejtë në Selinë e Kombeve të Bashkuara.
Kujtojmë se në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së bëjnë pjesë 192 shtete anëtare, ndërsa në Këshillin e Sigurimit, 15 anëtarë, 5 të përhershëm (Kina, Federata Ruse, Franca, Mbretëria e Bashkuar dhe SHBA) e 10, jo të përhershëm.
Selia e Shenjtë përfaqësohet në OKB-në e Nju Jorkut që nga data 2 prill 1964, përmes një nunci apostolik, që është vëzhgues i përhershëm i saj. Aktualisht vëzhgues i përhershëm i Selisë Apostolike në OKB është imzot Çelestino Miliore. Selia e Shenjtë ka vëzhguesin e vet të përhershëm edhe në OKB-në e Gjenevës, aktualisht imzot Silvano Tomazi. Vëzhgues të përhershëm ka edhe në organizatat e tjera të OKB-së si FAO, IFAD, PAM, UNESCO AEIA, ONUDI e OMT.
Por të kthehemi në Nju Jork. Benedikti XVI arriti në orën 10. 00 me orën vendase; 16. 30 me orën evropiane në Selinë e Kombeve të Bashkuara, ku u prit nga kryetari i Asamblesë, Kerim Srgjan dhe sekretari i përgjithshëm, Ban Ki-mun, të cilët Papa i përshëndeti në fillim të fjalimit, duke i falënderuar për mikpritjen dhe për ftesën që të vizitojë zyrat qendrore të organizatës. Një përshëndetje të përzemërt – edhe të pranishëmve: amabasadorë e diplomatë të Shteteve anëtare e, përmes tyre, mbarë popujve që përfaqësojnë.
Pastaj Benedikti XVI filloi menjëherë reflektimet për qëllimet dhe misionin e OKB-së- si “qendër morale, në të cilën të gjitha kombet e botës e ndjejnë veten si në shtëpi të tyre, duke thelluar vetëdijën se janë një “familje kombesh”.
“Parimet themeluese të Organizatës – dëshira për paqe, kërkimi i drejtësisë, respekti për dinjitetin e njeriut, bashkëpunimi humanitar e asistenca – shprehin aspiratat më të thella të shpirtit njerëzor dhe përbëjnë idealet, të cilave duhet t’u nënshtrohen marrëdhëniet ndërkombëtare. Ashtu siç kanë vërejtur paraardhësit e mi, Pali VI e Gjon Pali II nga kjo tribunë, bëhet fjalë për argumente që Kisha Katolike e Selia e Shenjtë i ndjekin me vëmendje e interes, sepse shikojnë në veprimtarinë tuaj sesi problemet e konfliktet që kanë të bëjnë me bashkësinë botërore, mund të rregullohen me miratim të përbashkët".
Kombet e Bashkuara – theksoi Benedikti XVI - mishërojnë aspiratën ‘për një shkallë të lartë të drejtimit ndërkombëtar (Gjon Pali II, Sollicitudo rei socialis, 43), që frymëzohet e mbarështohet nga parimi i ndihmës e që, prandaj, është në gjendje t’u përgjigjet kërkesave të familjes njerëzore, përmes rregullave ndërkombëtare përkatëse dhe përmes strukturave, që mund ta harmonizojnë jetën e përditshme të popujve.
Papa nënvizoi nevojën që të gjithë drejtuesit ndërkombëtarë të punojnë bashkërisht e të jenë të gatshëm të veprojnë me mirëbesim, duke respektuar ligjin e duke promovuar solidaritetin, në ndihmë të zonave më të ligështa të planetit. Kujtoi posaçërisht ato vende të Afrikës e të zonave të tjera të botës, që përjashtohen nga zhvillimi i përgjithshëm e që, prandaj, rrezikohen të provojnë vetëm pasojat negative të globalizimit.
Një aspekt tjetër i rëndësishëm që nënvizoi Papa, ishte ai i mënyrës si zbatohen rezultatet e zbulimeve të kërkimeve shkencore e teknologjike. E ky nënvizim, sepse disa aspekte të këtyre zbatimeve përbëjnë një dhunim të dukshëm të rendit të krijimit deri në atë pikë, sa jo vetëm që i bien ndesh karakterit të shenjtë të jetës, por arrijnë t’ia rrëmbejnë njeriut e familjes identitetin e tyre natyror.
Papa preku edhe problemin e mprehtë të ‘përgjegjësisë për të mbrojtur’, duke theksuar se ndihma nga ana e bashkësisë ndërkombëtare nuk duhet parë si kufizim i sovranitetit:
“Detyra kryesore e çdo shteti është të mbrojë popullsinë e vet nga shkeljet e rënda e të vazhdueshme të të drejtave të njeriut dhe nga pasojat e krizave humanitare, të shkaktuara si nga natyra, ashtu edhe nga vetë njeriu. Në se shtetet nuk janë në gjendje ta garantojnë një mbrojtje të tillë, bashkësia ndërkombëtare duhet të ndërhyjë me mjetet juridike që përcaktohen në kartën e Kombeve të Bashkuara dhe me mjete të tjera ndërkombëtare. Veprimtaria e bashkësisë ndërkombëtare dhe e institucioneve të saj, duke supozuar respektin e parimeve, që janë në bazë të rendit ndërkombëtar, nuk duhet interpretuar kurrë si imponim i padëshirueshëm e si kufizim i sovranitetit. Përkundrazi, dëmi real është pasojë e indiferencës ose e mungesës së ndërhyrjes”.
Ati i Shenjtë theksoi edhe rëndësinë që ka vizioni i drejtë mbi njeriun, si shembëlltyrë e Krijuesit, duke e parë dinjitetin e njeriut si bazë objektive të përgjegjësisë për të mbrojtur e duke theksuar me forcë se njohja e themeleve fetare është e nevojshme pikërisht për ta mbrojtur këtë dinjitet.
Papa nëvizoi edhe sfidat e reja, si aftësia për të dalluar të mirën nga e keqja, vizionin e jetës, të lidhur ngushtë me përmasën fetare, njohjen e vlerës së mbinatyrshme të çdo njeriu, që favorizon kthesën e zemrave e impenjmin për t’iu kundërvënë dhunës.
Më pas Ati i Shenjtë vuri theksin tek vlera e dialogut ndërmjet feve e sidomos, tek mbrojtja e lirisë fetare, duke theksuar se:
“Të drejtat e njeriut duhet të përfshijnë edhe të drejtën e lirisë fetare, si shprehje e një përmase, që është njëkohësisht individuale e komunitare, një këndvështrim që manifeston unitetin e personit, megjithëse duke bërë një dallim të qartë ndërmjet përmasës së qytetarit e asaj të besimtarit” - theksoi Ati i Shenjtë, prandaj:
Është e pakonceptueshme që disa besimtarë të mbysin një pjesë të vetvetes – fenë e tyre – për të qenë qytetarë aktivë”.
Ndërsa njeriu nuk duhet t’a mohojë kurrë Zotin, për të gëzuar të drejtat e tij. Të drejtat që lidhen me fenë kanë nevojë më shumë se kurrë të mbrohen, nëse konsiderohen në konflikt me ideologjinë mbizotëruese shekullare ose me qëndrimet e një shumice fetare, që ka natyrë ekskluzive.
Në përfundim Benedikti XVI ceku praninë e tij të sotme në këtë vend, duke uruar të jetë shenjë nderimi e shprese. Uroi edhe që Organizata të mbetet gjithnjë simbol i unitetit ndërmjet kombeve e si mjet për t’i shërbyer mbarë familjes njerëzore.
Para se të fillonte vizitën në OKB, Papa u takua privatisht me Sekretarin e përgjithëm të OKB-së, ndërsa në përfundim të saj, përshëndeti edhe personelin e Kombeve të Bashkuara.
Pas pushimit të drekës në Selinë e Vëzhguesit të përhershëm të Selisë së Shenjtë pranë OKB-së, vizitoi sinagogën e Nju Jorkut dhe përshëndeti hebrenjtë me rastin e festimeve të tyre për Pashkë.
Pastaj, në orën 18 me orën vendase, mesnatë me atë evropiane, takimi ekumenik në Kishën e Shën Jozefit me 250 përfaqësues të 10 konfesioneve të krishtera.
Nesër, 19 prill, Benedikti XVI do të kryesojë, në katedralen e Shën Patrikut të Nju Jorkut, Meshën Shenjte me meshtarët, rregulltarët e rregulltaret, pasuar nga takimi me të rinjtë e seminaristët.
Dita e fundit e vizitës, e diela, 20 prill, do të hapet me ngjarjen, ndoshta ndër më emocionantet e këtij shtegtimi: me vizitën dhe çastin e lutjes së Papës në Ground Zero (Graund’Ziərou): këtu Benedikti XVI do të lutet për viktimat e atentateve të 11 shtatorit. Në mbrëmje do të niset për Romë, ku parashikohet të arrijë të hënën, më 21 prill, në orën 10. 45.







All the contents on this site are copyrighted ©.