2008-04-18 12:44:21

Benedikti XVI u dorëzon mesazhin e Pashkëve hebrenjve amerikanë


(18.04.2008 RV)Në prag të vizitës së tij historike, që do të bëjë sot në Sinagogën e Nju Jorkut, qytetit ku jeton shumica e hebrenjve jashtë Izraelit, Benedikti XVI i flet bashkësisë hebraike për besim e miqësi, në një mesazh që ua dorëzoi përfaqësuesve të hebrenjve, në përfundim të takimit të djeshëm me liderët e feve të ndryshme, të pranishme në Amerikë.
“Duke ju drejtuar këtë mesazh – shkruan Papa – dëshiroj të ripohoj mësimin e Koncilit II të Vatikanit lidhur me marrëdhëniet katoliko-hebraike dhe me vijimin e impenjimit të Kishës katolike për thellimin e dialogut i cili, gjatë 40-vjetëve të fundit, i ka ndryshuar dhe i ka përmirësuar plotësisht lidhjet tona”. Më pas Benedikti XVI ndalet tek lidhja ndërmjet Pashkëve të krishtera e atyre hebraike, ndërmjet vdekjes e ngjalljes së Krishtit e festës që kujton çlirimin e popullit hebraik nga Egjipti. “Pashkët tona, janë Pesah-u juaj – nënvizohet në mesazh – e, ndonëse të ndryshme, flasin për një shpresë të përbashkët në Hyjin e në mëshirën e tij. Kjo na nxit të bashkëpunojmë me njëri-tjetrin e me të gjithë burrat e gratë vullnetmira, që ta bëjmë këtë botë më të mirë për të gjithë, në pritje të përmbushjes së premtimeve të Hyjit”.







All the contents on this site are copyrighted ©.