2008-04-17 19:00:18

Nesër vizita e Papës në OKB: intervistë me imzot Miliore.


(17.04.2008 RV)RealAudioMP3 Nesër Papa do të shkojë për vizitë në OKB. Benedikti XVI do të largohet paradite nga Uashingtoni në drejtim të Nju Jorkut. Në Pallatin e Qelqit do të pritet nga sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-mun. Më pas do të mbajë fjalimin para Asamblesë së Përgjithshme. Kur Papa do të fillojë fjalimin, ora evropiane do të jetë 16. 45. Ngjarje tepër e rëndësishme,e shumëpritur. E për atë që pritet prej saj, pyetëm imzot Çelestino Milioren, vëzhgues i përhershëm i Selisë së Shentjë pranë OKB-së:

Përgjigje: - Papa pritet si autoritet moral, i aftë për të nxitur vullnetin e mirë e për të ngjallur besim në të ardhmen. Që në fillim të papnisë, Benedikti XVI diti të vërë theksin mbi sfidën kryesore të shekullit XXI: mbi marrëdhëniet fe-arsye. E përpiqet papushim për të krijuar vetëdijën mbi këtë sfidë e për të gjetur, së bashku, rrugëzgjidhje, për shmangien e ndikimit të krizës ndërmjet këtyre marrëdhënieve mbi bashkëjetesën paqësore ndërkombëtare, mbi vizionin e të drejtave njerëzore, mbi rrugën ligjore në të cilën duhet ecur për t’i mbrojtur këto të drejta si dhe mbi drejtimin e politikës e të jetës shoqërore në çdo Komb. Papa është për një dialog të ndërgjegjshëm, në të cilin pranohet e respektohet njëlloj çdo njeri ose grup njerëzor, e kjo kërkon të pakëtn një emërues të përbashkët në vizionin për njeriun, për jetën njerëzore e, aq më tepër, për të drejtat e njeriut, për demokracinë, lirinë e bashkëjetesën ndërmjet popujve.

Pyetje: - Vizita e Papës përkon me kremtimin e 60-vjetorit të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut, shpallur më 10 dhjetor 1948. Në cilësinë tuaj si përfaqësues i Selisë së Shenjtë pranë Kombeve të Bashkuara, ç’mendoni për pikat më kritike në zbatimin aktual të kësaj karte?

Përgjigje: - Zbatimi varet, para së gjithash, nga shpjegimi e nga vlerësimi që i bëhet Deklaratës. Sot nuk gjen të paktën një të drejtë që të mos jetë e lënë pas dore ose e shkelur në ndonjë skaj të botës; e kjo, për shkak të bindjes se të drejtat e qytetarëve përcaktohen nga qeveritarët, të cilët vendosin edhe deri në ç’masë duhen mbrojtur, në vend që t’i konsideronin si të drejta të lindura bashkë me njeriun, të pandarshme prej tij. E pastaj kujtoj nevojën për bashkëpunim juridik ndërmjet vendeve të ndryshme dhe për asistencë nga ana e organizatave ndërkombëtare, si elementë të çmuar e të domosdoshëm në impenjimin për zbatimin e të drejtave të njeriut.







All the contents on this site are copyrighted ©.