2008-04-17 18:35:43

50 mijë vetë në stadium për Meshën e Papës: pendesë, shpresë e shenjtëri për një hov të ri në misionin e Kishës në SHBA.


(17.04.2008 RV)RealAudioMP3 Sot Papa kremtoi Meshën e parë të shtegtimit të tij apostolik në National Stadium (Nejshënell Steidium) të Uashingtonit. Elteri i Meshës ishte vendosur në qendër të stadiumit më modern të bejsbollit në SHBA, që zë 45 mijë vetë e është përuruar në fund të marsit të kaluar nga presidenti i SHBA, Xhorxh Bush.
Papa arriti në stadium në orën 10. 00 me orën vendase, 16.00 me atë evropiane. E pritën kryeipeshkvi i Uashingtonit, imzot Donat Uiljam Uerl, kryetari i bashkisë së kryeqytetetit, Adrian Fenti dhe autoritete të tjera kishtare e shtetërore. Para se të arrinte në sakresti, Ati i Shenjtë ra përqark stadiumit me papamobil e, më pas, kryesoi Meshën për besimtarët e dioqezës së Uashingtonit, kushtuar Shpirtit Shenjt, në bashkëkremtim me imzot Uerlin dhe kardinalin Bertone.
Në homelinë e Meshës, Papa nënvizoi se të jesh i krishterë, do të thotë ta kuptosh thellësisht se në qendër të historisë së shëlbimit është Jezu Krishti, Kryqi e ngjallja e Tij. Kam ardhur – pohoi Ati i Shenjtë - të shpall përsëri, si Shën Pjetri në ditën e Rrëshajve, se Jezu Krishti është Zot e Mesi, i ringjallur nga vdekja, i ulur në të djathtën e Atit në lumni, gjykatës i të gjallëve e të vdekurve (cfr. Vap 2, 14ss).
Më pas Benedikti XVI u ndalua tek ngjarjet konkrete të Kishës në SHBA, duke i parë si pjesë përbërëse të historisë së shëlbimit e duke kujtuar posaçërisht kremtimin e 200-vjetorit të dioqezës së Bostonit, Luisvilit, Nju Jorkut e Filadelfies si dhe të Selisë metropolitane të Baltimores. Pasi kujtoi me nderim veprimtarinë e breznive të shkuara për bashkimin e grupeve krejt të ndryshme të emigrantëve në fenë katolike dhe impenjimin e tyre për përhapjen e Ungjillit, Papa theksoi se sot Kisha e SHBA duhet të shikojë drejt së ardhmes e të jetë e gatshme për të përballuar sfidat e reja, që nuk janë më pak kërkuese se sfidat e së kaluarës.
Leximet e sotme – shpjegoi Benedikti XVI – na ftojnë ta shikojmë rritjen e bashkësisë katolike amerikane, si një kapitull të madh në historinë e përhapjes së Kishës pas zbritjes së Shpirtit Shenjt ditën e Rrëshjave, duke pasur mirë parasysh se Krishti e ndërtoi Kishën e vet mbi themelin e Apostujve (cfr Vap 21,14). Prandaj në çdo vend e në çdo kohë, Kisha është e thirrur të rritet në unitet, të ndjekë vazhdimisht rrugën që çon te Krishti, vepra shëlbuese e të cilit shpallet nga Pasardhësit e Apostujve dhe kremtohet ndër sakramente.
“Uroj – tha Ati i Shenjtë - që prania e Pasardhësit të Shën Pjetrit mes jush të jetë një rast i përshtatshëm për të ripohuar unitetin në fenë apostolike e për t’u dhënë kështu bashkëkohasve, një arsye bindëse për të shpresuar”.
Papa e vijoi homelinë me një reflektim mbi nevojën e njohjes së shenjave premtuese të kohës, por edhe të shenjave të cilat flasin për krizën që ka prekur themelet e shoqërisë. Është një kohë plot me premtime – tha Ati i Shenjtë – në të cilën shikojmë se familja njerëzore bëhet gjithnjë më e bashkuar dhe më e ndërvarur, por njëkohësisht vërejmë edhe shembjen shqetësuese të themeleve të shoqërisë: ushtrimin në rritje të dhunës, dobësimin e vetëdijës morale, vulgarizimin e lidhjeve shoqërore dhe largimin gjithnjë më të shpeshtë nga Zoti.
“Këto dritë-hije i shikojmë të shtrihen edhe mbi vetë Kishën, e cila – vërejti Papa - krahas famullive të mirorganizuara, lëvizjeve plot gjallëri, entuziazmit fetar të shumë të rinjve, percepton me dhimbje edhe praninë e përçarjeve e të polarizimit në vetë gjirin e saj dhe zbulon me keqardhje se shumë nga të pagëzuarit, në vend që të veprojnë si tharm në botë, sillen krejt në kundërshtim me të vërtetat e Ungjillit”.
Prandaj Ati i Shenjtë kërkoi të bëhen hapa të reja e konkrete për Ungjillëzimin e ri, duke pasur parasysh se amerikanët kanë qenë gjithnjë popull i shpresës:
E në kontekstin e kësaj shprese të lindur nga dashuria dhe besnikëria ndaj Zotit, unë e kuptoj më së miri dhimbjen që provoi Kisha në Amerikë, si pasojë e shpërdorimit seksual të të miturve. S’ gjej dot fjalë për ta shprehur dhimbjen e dëmin e shkaktuar nga një shpërdorim i tillë”- tha Papa - dhe porositi që të tregohet kujdes i madh baritor ndaj atyre që kanë vuajtur e të bëhen përpjekje për ta përballuar në mënyrë të ndershme e të drejtë këtë situatë tragjike, në mënyrë që fëmijët, thesari ynë më i çmuar të cilët Zoti i do aq shumë (cfr Mk. 10,14), të rriten në një mjedis të sigurt. Mbrojtja e fëmijëve duhet të vijojë, ashtu si duhet të vijojnë përpjekjet për shërimin dhe pajtimin e atyre që janë plagosur, duke i ndihmuar me të gjitha forcat – nënvizoi Ati i Shenjtë.
E pas një analize të tillë kaq delikate, Papa u bëri thirrje besimtarëve t’i duan meshtarët e t’i mbështesin në punën e shkëlqyer që bëjnë. E, posaçërisht, të luten që Shpirti Shenjt të ndikojë mbi Kishën dhantitë e veta: pendesën, faljen e shenjtërinë. Përtëritja e Kishës në Amerikë varet shumë nga përtëritja e praktikimit të sakramentit të rrëfimit e nga përpjekja për të ecur në rrugën e shenjtërisë.
Në emër të Zotit Jezus – tha Papa në përfundim të homelisë – ju kërkoj t’i jepni fund përçarjeve e të punoni me gëzim për t’i përgatitur rrugën Krishtit. Posaçërisht ju nxis të jeni tharm i shpresës ungjillore në shoqërinë amerikane e të impenjoheni, me dritën e vërtetësinë e Ungjillit, në ndërtimin e një bote gjithnjë më të drejtë e më të lirë për breznitë e ardhshme”.
Si përfundoi Mesha, Benedikti XVI u kthye në nunciaturën apostolike, për të rifilluar, më pas, veprimtaritë në orën 17.00 me orën vendase, 23 me atë evropiane, me një nga ngjarjet më të rëndësishme të këtij shtegtimi apostolik: takimin me botën universitare katolike në Universitetin katolik të Uashingtonit.
Ky universitet u themelua nga episkopati amerikan në vitin 1807. Lindi si qendër për formimin pasuniversitar në arkitekturë, inxhinieri, mjekësi, drejtësi, arte, shkenca, teatër, muzikë, drejtësi kanonike, filozofi e teologji. Përveç këtyre, Kolegji teologjik dhe seminari universitar përgatisin për rrugën e meshtarisë të rinj që vijnë nga të gjitha dioqezat e vendit. Motua e universitetit: “Deus Lux Mea Est” – “Hyji është Drita ime!”. Papa Gjon Pali II e vizitoi më 7 tetor 1979, gjatë shtegtimit të tij të parë në SHBA, Universitetin, ku zhvilloi dy takime me studentët e me trupin pedagogjik.
Në takimin e parë të Papës Racinger me botën universitare, do të marrin pjesë 235 rektorë të Universitetit dhe të Kolegjit katolik, 195 drejtorë dioqezanë, të ngarkuar me punën studimore, si dhe përfaqësues të pedagogëve dhe të studentëve katolikë, rreth 600 vetë. Froni ku do të ulet Papa është projektuar nga katër studentë, fitues të konkursit, shpallur me këtë rast.
Takimi do të përfundojë në orën 18. 15 me orën vendase, 00. 15 me atë evropiane. Benedikti XVI do të largohet nga universiteti në drejtim të Qendrës kulturore Papa Gjon Pali II, ku do të takohet me 220 përfaqësues të feve të tjera: hebrenj, myslimanë, indù, budistë dhe gjainistë. Takimi do të përfundojë në orën 19.15 me orën vendase, 01.40 me orën evropiane.
Nesër – fjalimi i shumpritur në OKB, gjatë të cilit do t’u bëjë thirrje kombeve të botës ta bazojnë çdo veprim politik mbi të drejtat e njeriut dhe mbi parimet që nuk mund të vihen në diskutim. Diplomacia ndërkombëtare – sipas Papës – duhet t’i ketë rrënjët në të drejtat e njeriut, vlera të padiskutueshme, themelore për të gjitha kulturat, të shkruara në zemrën e të gjithë njerëzve.







All the contents on this site are copyrighted ©.