2008-04-17 18:55:49

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës.


(17.04.2008 RV)17 prill: Gjoni i Matës çliron të burgosurit
Kjo i kalon të gjitha caqet! Gjoni mbyll sytë. Është tepër i tronditur. Nuk mund ta shohë varganin e njerëzve të mbërthyer me zinxhirë, që zvaritet në portin e Marsejës. Të katandisur kockë e lëkurë e të veshur me rrecka të ndyra, shikojnë me sy lutës kalimtarët, në sa presin për t’u shitur. Ia copton zemrën kjo pamje. Shumë nga këto skllevër janë të krishterë, të kapur nga piratët myslimanë, gjatë sulmeve të tyre të rryfeshme në brigjet e Mesdheut. Kjo tregti qeniesh njerëzore, që siguron fitime të majme ndër portet e mëdha, nuk do t’ia dijë fare për vendimet e marra nga Koncili i Londrës në vitin 1102, pas të cilit s’ ka ndryshuar gjë prej gjëje. Ah, sikur të kishte fuqi të mbinatyrshme! Do t’ua coptonte zinxhirët këtyre të mjerëve e do t’i çonte larg, larg nga tregjet e skllevërve të Marsejës e të qyteteve të tjera detare. E po të ishte i pasur, do t’i blinte të gjithë e do t’ua kthente menjëherë lirinë e humbur. Kjo ëndërr, në dukje krejt e parealizueshme, vijon ta ngacmojë Gjonin ditë-natë. Disa vjet më vonë, si bëhet meshtar, niset për në Romë që të takojë papën Inoçenci III, të cilit i shpjegon planet e tij: “Atë i Shenjtë, dëshiroj të themeloj një urdhër rregulltar. Mendoj ta quaj Urdhëri i së Shenjtnueshmes Trini. Meshtarët e këtij urdhëri do të merren kryesisht me mjekimin e të sëmurëve me ndihmesën e të varfërve, por misioni i tyre kryesor dëshiroj të jetë çlirimi i skllevërve që shiten nga myslimanët. Shumica e parave që do të mbledhë Urdhëri, do të shërbejë pikërisht për të liruar të burgosurit”.
Në fillim Papës i duket krejt i çuditshëm ky urdhër, prandaj nuk e pranon kërkesën e Gjonit: rregulltarët duhet të jenë të varfër e nuk duhet të kenë para nëpër duar. Ta paguash çlirimin e njeriut me peshë floriri është punë tregtarësh, jo murgjërish. Ndonëse, në fund të fundit, blejnë lirinë. Por pasi e mendon këtë punë më thellë, Papës nis t’i pëlqejë ideja. Kështu Inoçenci III dërgon një lajmëtar që kthejë mbrapsht Gjonin, i cili ka marrë rrugën për në Francë, tepër i trishtuar. E ai rikthehet sakaq në Romë. Këtë herë Papa e pret me krahë hapur e pas pak kohe, më 17 dhjetor 1198, lejon zyrtarisht fillimin e veprimtarisë misionare të urdhërit të së Shenjtnueshmes Trini. Murgjërit e parë të urdhërit nisen për në Marok me një letër të Papës drejtuar mbretit maroken: “Këta burra, të frymëzuar nga Zoti, vijnë për të liruar të burgosurit e krishterë, që kalben në burgjet e mbretërisë suaj e janë gati t’i shkëmbejnë me të burgosur marokenë ose ta paguajnë me ar lirimin e të krishterëve”. Ëndrra e Gjonit u realizua!
Ky urdhër ekziston edhe sot e kësaj dite e vijon të ndihmojë posaçërisht të burgosurit.







All the contents on this site are copyrighted ©.