2008-04-16 17:23:19

SHBA e presin përzemërisht Papën; sot takimi me Bushin në Shtëpinë e Bardhë.


(16.04.2008 RV)RealAudioMP3 Pritje e ngrohtë dhe e përzemërt dje për Papën Benedikti XVI, që arriti në orët e para të pasdites me orën vendase, 22. 00 me atë evropiane, në aeroportin ushtarak të Uashingtonit, ku u prit nga presidenti i SHBA, Xhoxh W. Bush, me bashkëshorten e të bijën. Ishte një përshëndetje jashtë protokolli, në shenjë respekti e miqësie. Filloi me zbritjen e Atit të Shenjtë nga avioni e vijoi me shoqërimin tek makina, që e çoi në nunciaturën apostolike të kryeqytetit amerikan. Ceremonia zyrtare e mirëseardhjes u mbajt sot në Shtëpinë e Bardhë.
Dita e sotme e shtegtimit apostolik të Papës në SHBA, në të cilën Benedikti XI kremtoi edhe 81-vjetorin e ditëlindjes, filloi me Meshën Shenjte, kremtuar në kapelën e nunciaturës apostolike. Më pas Benedikti XVI u nis drejt Shtëpisë së Bardhë, seli zyrtare dhe private e presidentit të SHBA. Kujtojmë se ndërtimi i saj filloi në vitin 1792 nga presidenti Xhorxh Uashington, për të përfunduar më 1800.
12 të shtëna topi, nderimet ushtarake dhe ekzekutimi i dy himneve i paraprinë takimit, i cili vijoi me urimin në kor: “Happy Birthday’ (Për shumë vjet ditëlindjen!) që u këndua në livadhin e blertë të Shtëpisë së Bardhë për nder të Benediktit XVI.
Papa zbriti nga limuzina e zezë dhe, si përshëndeti turmën duke ngritur krahët, u drejtua nga livadhi i blertë, ku e priti presidenti Xhorxh Bush me bashkëshorten, Laura, që e shoqëruan tek tribuna e vendosur në Sauth loun. Të pranishme, autoritetet më të larta civile e kishtare të SHBA.

“Amerika, ku feja e arsyeja bashkëjetojnë në harmoni të plotë, mikpret fenë në sheshin publik – tha presidenti Xhorxh Bush, duke i uruar Benediktit XVI mirëseardhjen në Shtëpinë e Bardhë dhe shtoi: “Amerika e priti me emocion të thellë vendimin e Papës për ta kremtuar 81-vjetorin e ditëlindjes mes nesh”.
Të pranishme, autoritetet më të larta civile e kishtare të SHBA.
Papa falënderoi presidentin për fjalët e mirëseardhjes, në emër të popullit amerikan dhe theksoi se e vlerëson shumë ftesën për të vizituar këtë vend të madh, si mik i të gjithë amerikanëve. Ardhja ime – nënvizoi Papa - përkon me një çast të rëndësishëm të jetës së bashkësisë katolike në Amerikë, e pikërisht me kremtimin e 200-vjetorit të dioqezës së Bostonit, Luisvilit, Nju Jorkut e Filadelfies si dhe të Selisë metropolitane të Baltimores.
Benedikti XVI pohoi, në vijim, se është në SHBA si mik e kumtues i Ungjillit e se e respekton shumë këtë shoqëri të madhe pluraliste, në gjirin e së cilës katolikët amerikanë kanë dhënë e vijojnë të japin një ndihmesë të shkëlqyer. Uroi, më pas, që prania e tij të jetë burim përtëritjeje e shprese për Kishën në SHBA, duke përforcuar edhe vendosmërinë e katolikëve për të kontribuar më me përgjegjësi në jetën e Kombit, të cilit kanë krenarinë t’i përkasin.
Më pas Ati i Shenjtë vlerësoi lart historinë e SHBA, që udhëhiqen nga bindja se parimet sunduese të jetës politike e shoqërore lidhen ngushtë me rendin moral, bazuar mbi sundimin e Hyjit Krijues, mbi barazinë e të gjithë njerëzve dhe mbi të drejtat e tyre të paprekshme. E këto të drejta themelohen mbi ligjin e natyrës e mbi Hyjin e kësaj natyre. Më pas Papa sintetizoi procesin e gjatë e të vështirë nëpër të cilin u përshkuan e vijojnë të përshkohen amerikanët, për të formuar shpirtin e Kombit, të frymëzuar fuqimisht nga besimet fetare.
Papa u ndal edhe tek karakteri ekumenik e ndërfetar i shtegtimit të tij, duke kujtuar se do të takohet jo vetëm me bashkësitë katolike e të krishtera të Amerikës, por edhe me përfaqësues të traditave të tjera fetare të vendit, që e adhurojnë Hyjin, sipas besojmës së tyre dhe japin kontribut të çmuar për ndërtimin e një shoqërie më të mirë e më njerëzore, si pjesë të konfederatës, në atmosferën e lirisë së plotë:
“Liria nuk është vetëm dhuratë, por edhe thirrje për përgjegjësi personale - theksoi me forcë Shenjtëria e Tij. Amerikanët e dinë mirë se mbrojtja e lirisë kërkon kultivimin e virtyteve, vetdisiplinë, flijim për të mirën e përbashkët, solidaritet për nevojtarët. Me një fjalë, liria është gjithnjë e re. Është sfidë që duhet ta përballojë çdo brezni, që duhet fituar vazhdimisht, në favor të kauzës të së mirës (cfr Spe salvi, 24)”.
Himn për lirinë këto fjalë të Papës Racinger, i cili në vijim citoi Gjon Palin II që, duke reflektuar për fitoren shpirtërore të lirisë mbi totalitarizmin në Poloni e në Evropë, na kujton mësimin e madh të historisë, sipas të cilit:
“Në një botë ku mungon e vërteta, liria humbet bazën e vet; e demokracia pa vlera, mund të humbasë shpirtin (cfr Centesimus annus, 46). Këto fjalë profetike i bëjnë jehonë bindjes së Presidientit Uashington, sipas të cilit pa fenë e moralin nuk mund të ketë as prosperitet politik”.
Benedikti XVI i siguroi amerikanët se Kisha do të vijojë të japë kontributin e vet në ndërtimin e një bote më të denjë për njeriun, krijuar sipas shembëlltyrës së Hyjit, me bindjen se feja i ndriçon me dritë të re të gjitha sendet e se Ungjilli zbulon thirrjen fisnike e fatin e lartë të çdo njeriu (cfr Gaudiium et spes, 10),
“Demokracia – theksoi Benedikti XVI – mund të lulëzojë vetëm atëherë, kur liderët politikë, në çdo vendim, që ka të bëjë me jetën dhe ardhmërinë e Kombit, udhëhiqen nga e vërteta e nga urtia, të cilat burojnë prej parimeve morale”.
Papa foli edhe për rolin e SHBA në gjirin e bashkësisë ndërkombëtare si dhe për 60-vjetorin e Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut, që na kujton se sot, më shumë se kurrë, njerëzimi ka nevojë për solidaritet ndaj vëllezërve e motrave, të cilët jetojnë në të njëjtën shtëpi e ulen rreth së njëjtës sofër, që mirësia e Hyjit e ka përgatitur për të gjithë bijtë e vet. Ati i Shenjtë e vlerësoi lart ndihmesën që japin SHBA për të lehtësuar vuajtjet e viktimave të katastrofave natyrore, me bindjen se kjo ndihmesë do të vijojë edhe në fushën diplomatike, për zgjidhjen e konflikteve e për sigurimin e progresit të mbarë njerëzimit:
“Kështu – tha në përfundim Ati i Shenjtë - breznitë e ardhshme do të mund të jetojnë në një botë ku lulëzojnë vërtetësia, liria e drejtësia – në një botë ku dinjiteti e të drejtat që Hyji ia ka dhuruar çdo njeriu, mbrohen e promovohen me sukses”.

 
Në përfundim të ceremonisë së mirëseardhjes, Presidenti Bush e Papa Racinger hynë nga porta e jugut dhe dolën për pak çaste në ballkonin e Shtëpisë së Bardhë, për të vijuar pastaj takimin privat në Studion Ovale.
Njëkohësisht me këtë takim, në Këbinet Rum u takuan Sekretarja e Shtetit të SHBA, Kondolisa Rajs dhe Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Tarçizio Bertone.
Takimi përfundoi me shkëmbimin e dhuratave, paraqitjen e familjarëve dhe fotografitë zyrtare.
Drekën Benedikti XVI e kaloi në nunciaturën apostolike me kardinajtë e SHBA dhe me kryesinë e Konferencës ipeshkvnore amerikane, që i uruan 81-vjetorin e ditëlindjes.
Në orën 16. 45 me orën vendase, 22. 45 me atë evropiane, gjithnjë në nunciaturën apostolike, Ati i Shenjtë do të takohet me përfaqësues të pesë fondacioneve kryesore bamirëse katolike amerikane e pikërisht me Kalorësit e Kolombos, Mbrojtësit e arteve në muzejtë e Vatikanit, Centesimos Annus pro Pontefice, Fondacionin Papnor dhe Fondacionin Françeskan për Tokën Shenjte, që do t’i drejtojnë Atit të Shenjtë një përshëndetje të përzemërt.
Pas këtij takimi, Papa do të niset për në selinë e Konferencës së ipeshkvijve katolikë të SHBA, për të vijuar veprimtaritë në Shenjtëroren kombëtare të Zojës së Papërlyer, ku do të kremtojë lutjet mbrëmësore dhe do të takohet me ipeshkvijtë e SHBA, të cilëve do t’u drejtojë një fjalim të rëndësishëm, për të shkëmbyer pastaj mendime për problemet që shqetësojnë Kishën Katolike në SHBA.
Në orën 19. 30 me orën vendase, 01. 30 me orën evropiane, Benedikti XVI do të kthehet në nuncaiturën apostolike, ku do të kalojë natën. Nesër, 17 prill, do të kryesojë Meshën Shenjte në National Stadium (Nejshënell Steidium) të kryeqytetit, për të takuar, pasdite, botën universitare katolike, ndërsa në mbrëmje, përfaqësuesit e feve të tjera.







All the contents on this site are copyrighted ©.