2008-04-16 17:28:39

Papa Benedikti XVI kremtoi 81-vjetorin e ditëlindjes: për shumë vjet!


Papa Racinger lindi në Marktl am Inn, në dioçezën e Passaut (Germani) më 16 prill 1927. I jati, komisar i xhandarmërisë, vinte nga një familje e lashtë bujqish të Bavierës së poshtër.
Si i kaloi vitet e adoloshencës në Traunstein, në vitet e fundit të Luftës II Botërore u thirr në shërbim ushtarak e pikërisht në shërbimin ndihmës për ruajtjen e hapësirës ajrore.
Nga viti 1946 deri në vitin 1951, vit në të cilin, u shugurua meshtar (29 qershor), filloi veprimtarinë e mësimdhënies, studioi filozofi e teologji në Universitetin e Munihut dhe në shkollën e lartë të filozofisë e të teologjisë të Freisingës. Në vitin 1953 mbrojti dizertacionin me temë: “Populli dhe shtëpia e Zotit në Doktrinën e Kishës sipas Shën Agostinit”, me të cilën fitoi titullin e doktorit në teologji. Katër vjet më vonë mori titullin e doçencës së pavarur me punimin mbi “Teologjinë e historisë së Shën Bonaventurës”.
Pas dhënies së mësimit të Dogmatikës e të Teologjisë themelore në Shkollën e lartë të Filozofisë e të Teologjisë të Freisingës, vijoi të jepte mësim në Bon, nga vitet 1959- 1969; në Munster, nga 1963 deri më 1966; e në Tubingë nga 1966 deri më 1969. Në këtë vit u bë professor i Dogmatikës dhe i Historisë së dogmave në universitetin e Regensburgut si dhe zëvendës- drejtor i të njëjtit universitet. Ndërkaq, që nga viti 1962, fitoi famë ndërkombëtare duke folur, si këshilltar teologjik i kryipeshkvit të Këlnit, kardinalit Joseph Frings, në Koncilin II të Vatikanit, ku dha një kontribut të shquar.
Ndër botimet e shumta, një vend të posaçëm zënë “Hyrje në krishtërim”, përmbledhje e mësimeve universitare mbi praktikimin e fesë apostolike, publikuar në vitin 1968; “Dogma e zbulime”, antologji me studime, predikime e reflektime, kushtuar punës baritore, dalë nga shtypi më 1973. Jehonë të madhe pati edhe ligjërata që mbajti pranë Akademisë Katolike Bavareze me temë: “Jehonë: Pse jam akoma në Kishë?”, në të cilën pohonte: “vetëm në Kishë është e mundur të jesh i krishterë, e jo pranë Kishës”. Vitit 1985 i përket vëllimi “Raport mbi fenë”: 1996-të,” Kripa e tokës”.
Më 24 mars 1997 Pali VI e emëroi Kryeipeshkëv të Munihut dhe Freisingës.
U shugurua me 28 maj të të njëjtit vit. Ishte prifti i parë dioqezan që merrte në duar, pas 80 vjetësh, drejtimin baritor të dioqezës së madhe bavareze.
U krijua kardinal nga Pali VI në Koncistorin e 27 qershorit 1977, me titujt e Shën Marisë Ngushëlluese në Tiburtinë, të Kishës Suburbikare të Veletri- Senjit (5 prill 1993) dhe të Kishës Suburbikare të Osties (30 nëntor 2002).
Ishte relator në Asamblenë e përgjithshme te Sinodit te Ipeshkvijve (1980) me temë: “ Detyrat e familjes së krishterë në botën bashkëkohore”, si dhe kryetar-delegat i Asamblesë VI sinodale (1983) ku foli mbi temën “ pajtimi e pendesa në misionin e Kishës”.
Më 25 nëntor 1981 u emërua nga Gjon Pali II Prefekt i Kongregatës për Doktrinën e Fesë; Kryetar i Komisionit Biblik dhe i Komisionit Teologjik Nderkombëtar.
Më 5 prill 1993 u bë anëtar i Urdhërit të Kardinajve- Ipeshkvij, me titull të Kishës Suburbikare të Veletri-Senjit.
Më 6 nëntor 1998 u zgjodh zëvendës – dekan i Kolegjit kardinalor. Më 30 nëntor 2002 Ati i Shenjtë miratoi zgjedhjen e tij, me kërkesë të kardinajve të urdhërit të ipeshkvijve, si Dekan i Kolegjit kardinalor.
Ka qenë Kryetar i Komisionit për përgatitjen e Katekizmit të Kishës katolike, i cili pas gjashtë vjet pune (1986-1992) ia paraqiti Katekizmin e ri Atit të Shenjtë.
Nga 10 nëntori i vitit 2000 është akademik nderi i Akademisë Papnore të Shkencave.
Dha ndihmesë të shquar si anëtar:
i Këshillit të Seksionit II të Sekretarisë së Shtetit;i Kongregatave: për Kishat Lindore, për Kultin Hyjnor e Disiplinën e Sakramenteve, për Ipeshkvijtë, për Ungjillëzimin e popujve, për Edukimin Katolik; i Këshillave papnore: për nxitjen e bashkimit të të krishterëve; të Kulturës, i Komisioneve papnore: për Amerikën Latine dhe Ecclesia Dei”.
U zgjodh papë më 19 prill 2005; e filloi shërbimin e tij baritor si Kryebari i Kishës Katolike Universale më 24 prill 2005, me emrin papnor Benedikti XVI.







All the contents on this site are copyrighted ©.