2008-04-15 13:42:51

Papa u nis për në SHBA: shtegtimi i tetë apostolik me temë “Krishti shpresa jonë’.


(15.04.2008 RV)Sot, në orën 12.00, Papa u nis nga aeroporti romak i Fiumiçinos drejt Uashingtonit, ku do të arrijë në orët e para të pasdites me orën vendase, ndërsa në Romë do të ketë rënë nata. Për ta përcjellur, në aeroport kishte dalë ish-kryeministri italian, Romano Prodi.
Nuk është parashikuar për sot asnjë ceremoni zyrtare për t’i uruar Papës mirëseardhjen, duke i krijuar, kështu, kushtet që të pushojë pas një udhëtimi kaq të gjatë.
Arritja e Benediktit XVI është përgatitur prej kohe nga Kisha vendase, që ka organizuar takime e reflektime me temën e shpresës së krishterë. Vëmendje e veçantë i është kushtuar të rinjve amerikanë të cilët, të ndikuar fuqimisht nga relativizmi etik dhe materializmi i përditshëm, nuk e kanë të lehtë ta pranojnë mesazhin ungjillor.
Në qendër të kësaj vizite do të jetë takimi me kishën amerikane. Benedikti XVI do të takohet edhe me presidentin Bush, me përfaqësuesit e konfesioneve të tjera të krishtera e të feve të tjera. Natën e Pashkëve hebraike, do të vizitojë sinagogën e Nju Jorkut. Ndër ngjarjet më të pritura të shtegtimit, janë fjalimi në OKB dhe lutja në Ground Zero. Të ndjekim reflektimin e drejtorit të Sallës vatikanase të Shtypit dhe të Radios sonë, Atë Federiko Lombardi:RealAudioMP3

“Jezu Krishti është shpresë për burrat dhe gratë e çdo gjuhe, të çdo race, të çdo kulture e të çdo kombi. Jo vetëm çdo njeri, por edhe çdo popull mund të gjejë tek Jezusi orientimin dhe kuptimin e duhur, për formimin e familjes së njerëzve e të popujve, që jetojnë si vëllezër, sipas planit të Hyjit, Atë i të gjithëve”.
Ky Jezus, me urdhërimin e dashurisë reciproke, ndriçon e përmbush “rregullën e artë”: “Duhet t’u bëni të tjerëve, pikërisht atë që dëshironi t’jua bëjnë juve!”, rregull e shkruar në ndërgjegjen e njeriut, pikë takimi e cila, pavarësisht nga ndryshimet, i krijon mbarë bashkësisë njerëzore mundësitë e mirëkuptimit, duke kapërcyer ndryshimet ndërmjet feve e edhe ndërmjet atyre që besojnë e që nuk besojnë.
Në Asamblenë e përfaqësuesve të mbarë popujve të botës, në zemër të një kombi me peshë të madhe mbi fatet e njerëzimit të sotëm e të nesërm, Benedikti XVI dëshiron t’u ofrojë të gjithëve shërbimin e tij si autoritet fetar e moral, duke ndriçuar, me qartësinë e tij të zakonshme, atë për të cilën kemi më shumë nevojë: themelin, pikëmbështetjen e fortë e të përbashkët, mbi të cilën mund të gjejmë, së bashku, përgjigje për sfidat historike që kemi përballë. Së bashku, sepse ashtu siç pati thënë Gjon Pali II pikërisht në Kombet e Bashkuara, kështu formojmë familjen e popujve.
E në se e gjejmë së bashku themelin, mund ta shikojmë ardhmërinë me shpresën e paqes, të drejtësisë e të lirisë. Themeli është drejtim. Nuk është pak kjo, që Kisha dëshiron t’u ofrojë vëllazërisht, të gjithëve”.







All the contents on this site are copyrighted ©.