2008-04-15 18:53:05

Italia pas fitores së Silvio Berluskonit


(15.04.2008 RV)RealAudioMP3 Silvio Berluskoni, lideri i Popullit të Lirive fiton bindshëm zgjedhjet në Itali, si në Dhomën e Deputetëve ashtu edhe në Senat. 100 vende më shumë se Partia Demokratike e Valter Veltronit në Dhomën e Deputetëve e 38 më shumë në Senat. Këto janë numrat që përcaktojnë rezultatin e votimeve për ndryshimin e parlamentit. Pjesëmarrja në votime, pavarësisht se në rënie, ka qenë e konsiderueshme, 80,5% e zgjedhësve.
Për herë të parë në historinë e Republikës së Italisë, partia më e vjetër, ajo Socialiste, mbetet jashtë parlamentit. Jashtë edhe E Majta Ylber e Fausto Bertinotit. Ai që del nga këto zgjedhje është një parlament fortësisht bipolar, ku mungojnë eksponentët socialistë e komunistë, të djathtët ekstremë dhe liberalët. Mbeten vetëm 9 parti, gjë që shënon një kthesë historike, duke lënë jashtë ideologjitë për t’u bërë vend përgjigjeve të problemeve konkrete. Komenton për ne Antonio Maria Baxho, profesor i etikës politike në Universitetin Gregorian të Romës:
Kthesa ekziston dhe është e rëndësishme, sepse dy partitë më të mëdha kanë marrë 70% të votave. Ky proces ka filluar nga kriza e partive ideologjike të mëdha, në të cilat ekzistonte që më parë bipolarizmi i interpretuar nga Demokracia e Krishterë dhe nga Partia Komuniste, një bipolarizëm pas luftës, ku problemi më i madh e partive të masës ishte të ndërtonin demokracinë. Tani duhet interpretuar një demokraci e pjekur. Në tërësinë e saj, Italia kapërceu fragmentimin, pavarësisht nga një ligj që u bë jo për këtë punë. Tani, ideologjitë duhen kapërcyer në favor të një mendimi politik të besueshëm e të qëndrueshëm, sepse nuk ekziston vetëm praktika. Në këtë drejtim, ka shumë për të bërë.
Bertinoti jep dorëheqjen e kështu bën edhe lideri i Partisë Socialiste, Bozeli. Cilat janë arësyet e humbjes së tyre?
Nëse bëjmë një analizë të punës që ka bërë e majta në qeverinë e Prodit, shohim dy aspekte: veprimtarinë e vazhdueshme për të vënë në vështirësi qeverinë, gjë që u përjetua me probleme nga pjesa më e madhe e popullsisë, sepse argumentat që paraqiteshin nuk pranoheshin nga të gjithë; aspekti tjetër është se e majta përfaqëson interesa të tipit minoritar. Tani këto interesa janë të rëndësishme, por mënyra si i interpreton e majta është reaksionare. Për t’i mbrojtur si duhet këto interesa duhet të krijohet një kuadër i ndryshëm i së ardhmes dhe i zhvillimit, jo fjalë.
Nga ana tjetër, rritet konsensusi për Lidhjen e Veriut, që është e njohur për idetë që penalizojnë jugun e Italisë dhe për fenomenet e intolerancës e të ekstremizmit…
Aspektet ekstremiste të Lidhjes nuk duhet të falen, por nuk përfaqësojnë mendimin e përgjithshëm të të gjithë zgjedhësve. Shoqëria e veriut është e pasur me vlera e pra, përkrah një kryetari bashkie që ua bën jetën të vështirë emigrantëve, ekzistojnë mijëra shoqata që bëjnë të mundur integrimin e tyre. Mendoj se duhet gjetur një ekuilibër e Lidhja e Veriut duhet të mësojë si të dialogojë jo me elementin më të pagdhendur, por me atë që është më i përparuar në shoqërinë që e ka votuar.







All the contents on this site are copyrighted ©.