Emergjenca ushqimore: Flet përgjegjësi i dikasterit ndërkombëtar të Karitasit italian
(15.04.2008 RV)I rikthehemi edhe
një herë krizës ushqimore, pasi po shndërrohet në një emergjencë të vërtetë globale.
Miliona njerëz, vë në dukje Banka Botërore, rrezikojnë të vdesin nga uria. T’u sigurosh
njerëzve ushqimin nuk është vetëm një impenjim etik, por është një përpjekje e nevojshme
për të ruajtur qëndrueshmërinë e planetit. Në mikrofonin tonë përgjegjësi i dikasterit
ndërkombëtar të Karitasit Italian, Paolo Beçegato: Pulsi që ndjejmë nga kishat
lokale, nga Karitasi në këto vende e nga misionarët është ai i një fenomeni jo kalimtar,
jo i kufizuar në disa zona, por fatkeqësisht i vazhdueshëm që prej disa muajsh. Është
një fenomen që rrezikon të zgjatet në kohë e të përhapet. Kemi përshtypjen se është
i lidhur me shumë arësye e një prej tyre është vendimi politik për të investuar shumë
për energjitë e rinovueshme, si biokarburantet. Një vendim i tillë, sjell në kohë
të shkurtra reduktimin e rezervave dhe si pasojë, rritjen e çmimeve. Cilat
janë sipas jush, masat që duhet të merren? Përsa i përket emergjencës, sinjalet
që arrijnë kanë të bëjnë me personat që varen nga ndihmat humanitare, si refugjatët
dhe të varfërit. Është pra e nevojshme të ndërhyhet me urgjencë në këto situata limite.
Në afate të mesme e të gjata është e nevojshme që të punohet për të ndryshuar prirjen.
Para së gjithash, të rritet prodhimi, në mënyrë që reduktimi i rezervave të mos bëhet
dramatik. Sot për sot, situata është nën kontroll, sepse po përdoren rezervat. Por
do të vijë dita që do të mbarojnë edhe ato. Së dyti, është e nevojshme të rritet sasia
dhe cilësia e ndihmave për zhvillimin.