2008-04-14 18:30:07

Shpresa në Kenia pas formimit të qeverisë së bashkimit kombëtar


(14.04.2008 RV)RealAudioMP3 Dje në Kenia u arrit më në fund të formohej qeveria e bashkimit kombëtar, pas marrëveshjes me ndërmjetësimin e ish-sekretarit të OKB-së, Kofi Anan. Kujtojmë se që nga zgjedhjet presidenciale të dhjetorit të vitit të kaluar, Kenia hyri në një periudhë krize, të shoqëruar me ndeshje ndërmjet dy fraksioneve kryesore politike, që pretendonin pushtetin. Në krye të 41 ministrave është vendosur Raila Odinga, kreu i opozitës, ndërsa president mbetet Muai Kibaki. A do të funksionojë kjo lloj bashkëjetese? Përgjigjet në mikrofonin tonë Daniele Mosketi, meshtar kombonian, i cili që prej vitesh jeton në barakat e Korogokosë, në periferi të kryeqytetit keniot, Nairobi:
Sigurisht është një arritje për momentin, pas katër muajsh pritjeje. Është një çast historik. Është një kryeministër me shumë ministra. Kritika nga shoqëria civile, nga Kisha, nga shumë vetë, sepse janë tepër: 41. Por, ky është të paktën hapi i parë për të arritur në ndonjë gjë më konkrete për të ardhmen e Kenias, siomos për më të varfërit, për njerëzit që vuajnë. Ndërsa pritej rezultati kemi përjetuar një tension të madh. Java që kaloi qe e rëndë, shpërtheu edhe ndonjë konflikt, sot disa pjesë të qytetit janë më të qeta.
Shpresojmë që një nga hapat e para të jetë Kushtetuta, sepse po punohet që prej vitesh, janë shpenzuar shumë para, është bërë edhe një referendum në vitin 2005, që qeveria e ka humbur. Më pas, puna: duhet krijuar punë, duhet krijuar siguri për vendin, sepse në disa zona akoma nuk ka siguri.







All the contents on this site are copyrighted ©.