2008-04-14 17:53:32

Në lutjen e Mbretëreshës Qiellore Papa ia besoi Zojës së Bekuar shtegtimin në SHBA.


(14.04.2008 RV)RealAudioMP3 Dje, para lutjes së Mbretëreshës Qiellore, Benedikti XVI ia besoi Virgjërës Mari shtegtimin e tij apostolik në SHBA. Me që kremtohej Dita botërore e lutjes për thirrjet meshtarake me temë “Thirrjet në shërbim të Kishës-mision”, Papa i ftoi besimtarët të ndjekin shembullin e Shën Palit, Apostullit të madh të popujve. Kujtoi, pastaj, se edhe martesa e krishterë është thirrje misionare.
Para lutjes së Mbretëreshës Qiellore, Ati i Shenjtë iu lut Virgjërës Mari t’i mbrojë thirrjet e shumta në shërbim të Kishës, që të zhvillohen me frymë të theksuar misionare. Më pas kujtoi Uashingtonin e Nju Jorkun: dy etapat e shtegtimin e tij në SHBA, që do ta nisë nesër, për ta përfunduar më 21 prill:
“Ia besoj Asaj, Nënës së Kishës e Mbretëreshës së paqes, edhe përvojën e jashtëzakonshme misionare që do të jetoj ditët e ardhshme, gjatë shtegtimit tim apostolik në SHBA dhe vizitës në OKB, ndërsa u kërkoj të gjithëve të më shoqërojnë me lutje”.
“Krishti është shpresa jonë”. Motua e shtegtimit – shtoi Ati i Shenjtë duke iu drejtuar shtegtarëve të gjuhës angleze, të pranishëm në Sheshin e Shën Pjetrit – është baza e shpresës sonë për paqen, për drejtësinë e për lirinë, që buron pikërisht nga ligji i Hyjit e përmbushet në urdhërimin e tij për ta dashur njëri-tjetrin”. Më pas, një ftesë e re për t’u lutur që vizita të kryhet me sukses e t’i shërbejë përtëritjes shpirtërore të të gjithë amerikanëve.
Benedikti XVI kujtoi edhe Ditën botërore të lutjes për thirrjet meshtarake, e cila sivjet u kremtua në kuadrin e Vitit paolin, që do të hapet më 28 qershor. Përkujtohet, kështu, dymijëvjetori i lindjes së Shën Palit, Apostullit të Popujve, misionarit të shquar, që Hyji e thirri për t’i shërbyer Ungjillit:
“Ai është model për çdo të krishterë, posaçërisht për misionarët ad vitam – dmth për ata burra e ato gra që ia kushtojnë gjithë jetën kumtimit të Krishtit mes njerëzve, të cilët nuk e njohin: thirrje kjo, që edhe sot e kësaj dite e ruan plotësisht vlerën e saj”.
Është shërbim – shpjegoi Ati i Shenjtë – që në radhë të parë e kryejnë meshtarët, të cilët e shkrijnë pa kursim gjithë jetën në shërbim baritor, duke e vulosur nganjëherë besnikërinë ndaj Krishtit edhe me vulën e gjakut. Si falënderoi Zotin për këta vëllezër, Benedikti XVI kujtoi me nderim dy rregulltarë misionarë: francezin Jozef Dy dhe anglezin Brian Torp, që u vranë javën e kaluar në Guine e në Kenia.
Ati i Shenjtë i porositi besimtarët të luten që të shtohen gjithnjë më shumë radhët e njerëzve, të cilët ia kushtojnë gjithë jetën Ungjillit përmes kushteve të pastërtisë, të varfërisë e të bindjes: janë burra e gra – tha Papa - që luajnë një rol të dorës së parë në veprimtarinë ungjillëzuese. Benedikti XVI e përfundoi lutjen duke vënë theksin mbi një aspekt tjetër të rëndësishëm:
“Nuk duket harruar, së fundi, se edhe ajo e martesës së krishterë është thirrje misionare: bashkëshortët janë të thirrur ta jetojnë Ungjillin në familje, në mjediset e punës, në bashkësitë famullitare e civile. Kështu, në shumë raste, bashkëpunojnë me sukses në misionin ndërmjet njerëzve”.







All the contents on this site are copyrighted ©.