2008-04-14 17:52:56

Nesër Benedikti XVI do të niset për në SHBA


(14.04.2008 RV)RealAudioMP3 Christ our hope”, “Krishti, shpresa jonë”, me këtë moto Benedikti XVI do të kapërcejë, pas pak orësh, Atlantikun, në shtegtim drejt kontinentit amerikan. Njëmbëdhjetë muaj pas shtegtimit të tij në Brazil, Papa do të vizitojë dy qytetet më simbolike të SHBA: Uashingtonin dhe Nju-Jorkun, ku do të kalojë gjashtë ditë në një atmosferë entuziaste baritore e ndërfetare, i ndjekur me vëmendje të madhe nga mjetet e komunikimit. Benedikti XVI do të lutet me bashkësitë kishtare të dy dioqezave, duke përfshirë simbolikisht në këtë lutje, mbarë Kishën e Shteteve të Bashkuara e, ndërmjet tjerash, do të vizitojë edhe Pallatin e Qelqit në Nju Jork dhe Graund Zero, vende simbolike të paqes, që ndërtohet çdo ditë e të paqes që rrezikohet çdo ditë. Pak kohë para nisjes, Ati i Shenjtë i drejtoi popullit amerikan dhe Kombeve të Bashkuara, lajmin e shpresës së krishterë, përmes një videomesazhi, në të cilin përmblodhi temat shpirtërore të shtegtimit të tij të tetë apostolik ndërkombëtar, i pari në SHBA. Po i rikujtojmë shkurtimisht:
"At the same time, I earnestly hope that my presence…
“Uroj nga zemra që ardhja ime mes jush të shikohet si shprehje e vëllazërimit me çdo bashkësi kishtare e si dëshmi e miqësisë me të gjithë besimtarët e me të gjithë burrat e gratë vullnetmira”.
Ishte data 8 prill kur Benedikti XVI i drejtoi, përmes videomesazhit, të përhapur nga Salla vatikanase e Shtypit, përshëndetjen e tij të përzemërt amerikanëve, mes të cilëve do të kalojë një javë, ngarkuar me veprimtari nga më të ndryshmet. Statistikat më të freskëta zyrtare flasin për një popullsi prej 300 milion banorësh, në gjirin e së cilës - 67 milionë e gjysëm katolikë, të organizuar në 19 mijë famulli. Posaçërisht katolikëve - të cilët do t’i takojë duke kryesuar tri Meshë Shenjte, një në kryeqytet e dy në Nju-Jork – Benedikti XVI do t’u çojë mesazhin e shpresës së Krishtit, që i jep edhe titullin shtegtimit të tetë apostolik papnor. Por nuk do të mungojnë edhe veprimtaritë kushtuar dialogut me fetë e tjera, siç është, për shembull, takimi i së enjtes së ardhshme në Uashington me disa lider fetarë, si dhe vizita në Sinagogën e Nju-Jorkut për Pashkët hebraike:
"I shall also bring the message of Christian hope…
Do t’u çoj mesazhin e shpresës – thekson Papa – edhe përfaqësuesve të popujve të botës në Asamblenë e madhe të Kombeve të Bashkuara, kombe që kanë shumë nevojë për shpresë.
Papa në Pallatin e Qelqit e Papa në Ground Zero do të jenë ngjarjet më mediatike të vizitës papnore në trojet amerikane. Vizita në Ground Zero është një ngjarje krejt e thjeshtë, që nuk do të zgjasë shumë. Gjithsej një gjysëm ore. Po kjo nuk ia pakëson domethënien e jashtëzakonshme shpirtërore e simbolike.Gjithë shtegtimi i Benediktit XVI pohon se “Bota ka nevojë, më shumë se kurrë, për shpresë: shpresë për paqe, për drejtësi, për liri, por nuk mund ta realizojë këtë shpresë, në se nuk i bindet ligjit të Hyjit, që Krishti e përmbushi me urdhërimin për ta dashur njëri-tjetrin”.







All the contents on this site are copyrighted ©.