2008-04-14 18:27:49

Intervistë me kryeipeshkvin e Uashingtonit: Papa do t'u shpallë të gjithëve shpresën e Krishtit të ngjallur


(14.04.2008 RV)RealAudioMP3 Që prej shumë kohësh, arritja e Papës Benedikti XVI në dy metropolet e SHBA-ve përgatitet nga Kisha lokale me takime e reflektime mbi temën e shpresës së krishterë. Pjesa më e madhe e këtyre reflektimeve është bërë për të rinjtë amerikanë, të cilët duhet ta përqafojnë mesazhin e Ungjillit përmes një rruge të vështirë ku ndihen fuqishëm zërat e prirjet e relativizmit etik dhe të materializmit të përditshëm. Të dëgjojmë kryeipeshkvin e Uashingtonit, imzot Donald Uerl:
E presim Papën me gëzim të madh. Por për ne ky është një çast katekistik. Po përgatitemi, duke u mundësuar besimtarëve, sidomos të rinjve, të kuptojnë se kush është Papa. E Papa është shën Pjetri mes nesh, sot. Kështu, mund t’i mësojmë këtij brezi katolikësh, këtij brezi të rinjsh të krishterë, se Kisha ka shumë nevojë për Pjetrin, sepse Kisha mbështetet pikërisht tek ai.
Pse është kaq e rëndësishme që shoqëria, por sidomos të rinjtë, ta kuptojnë se Papa është pasardhësi i Shën Pjetrit dhe se vazhdon rolin e tij në këtë tokë?
Sepse brezi i sotëm, kultura jonë, shoqëria e sotme kanë shumë nevojë të dëgjojnë Ungjillin, të dëgjojnë fjalë jete, të dëgjojnë e të pranojnë se ekziston një përmasë shpirtërore e jetës njerëzore. Në SHBA-të ne jetojmë frenetikisht dhe vëmendja shpërndahet në të katër anët, pa u përqëndruar në këtë fakt shumë të rëndësishëm, se jeta njerëzore ka një përmasë shpirtërore. Ne kemi nevojë për një kontakt, për një bisedë, për t’u lidhur me Zotin. Ati i Shenjtë do të sjellë pikërisht këtë mesazh. Është një mesazh universal, nuk vlen vetëm për katolikët, por për të gjithë.
Frika e kulturës bashkëkohore, sidomos e asaj amerikane, është se feja paraqet një element ndarjeje…
Po, të paktën ka nga ata që mendojnë kështu. Unë i shoh gjërat ndryshe. Për mua, feja jep shpresë për të ndërtuar ura ndërmjet elementeve të ndryshme të kulturës, për të ndërtuar një shoqëri me të vërtetë të drejtë e të mirë. Në fund të fundit, feja flet për drejtësi, feja e vërtetë flet për paqe, flet për të vërtetën e flet edhe për marrëdhëniet njerëzore. Prandaj besoj se dialogu ndërmjet katolikëve dhe judejve, ndërmjet katolikëve dhe myslimanëve, ndërmjet katolikëve dhe feve të tjera i hap dyert një çasti të ri në jetën e shoqërisë sonë, një çasti mirëkuptimi, respekti dhe mundësie për të jetuar e punuar sëbashku në ndërtimin e një shoqërie të drejtë.
Pikërisht në Uashington do të zhvillohet një takim ndërmjet Papës dhe përfaqësuesve të feve të ndryshme. Cili është impenjimi i dioqezës suaj dhe i Kishës amerikane në pëgjithësi në këtë fushë?
Po, ky takim përfaqësuesish të të gjitha feve, programuar për ditën e fundit të vizitës së Atit të Shenjtë, na jep mundësinë t’u tregojmë gjithë bashkëkombasve se Ati i Shenjtë e merr seriozisht këtë dialog, këtë bisedë me botën e feve. Për ne është shembulli që duhet të ndjekim edhe në të ardhmen. Ç’del nga këto diskutime? Më duket se rezulton një respekt më i thellë ndërmjet elementeve fetare të një bashkësie.
Motoja e vizitës së Papës është “Krishti, shpresa jonë”. Cilat janë fushat e jetës shoqërore që mendoni se kanë më shumë nevojë për këtë shpresë?
Sot bota, ashtu siç ka thënë Papa në Enciklikën Spe Salvi, ka shumë nevojë për shpresë, për shkak të gjithë këtyre aspekteve negative që shohim përditë në televizion, që dëgjojmë në radio e lexojmë nëpër gazeta. Duhet të kemi parasysh, se mbi të gjitha këto ka diçka më tepër. Kemi mundësi të jetojmë në paqe, të ndërtojmë një shoqëri të drejtë, ta jetojmë haptas e plotësisht fenë tonë. Ati i Shenjtë na jep shpresë. Në qendër të vizitës në Uashington është Eukaristia, Mesha e shenjtë në National Park me 45 mijë vetë. Sipas meje, ky do të jetë çasti kryesor që do të na bëjë ta përjetojmë shpresën si shprehje të fesë sonë në Jezu Krishtin, të besimit se Jezusi është me ne në eukaristi.







All the contents on this site are copyrighted ©.