2008-04-14 18:01:29

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës.


(14.04.2008 RV)RealAudioMP3 14 prill: Hildegarda e Bingen, e dërguar nga Zoti për të këshilluar njerëzit e pushtetshëm.
Hildegarda është pesëdhjetë vjeçe e, që kur ishte katërmbëdhjetë, kalon një jetë tepër të përvujtë, mbyllur brenda mureve të heshtuara të një kuvendi gjerman. E megjithatë, kjo murgeshë njihet në mbarë Evropën. Papa ka lexuar librin e saj, mbretër e princa i lypin këshilla e i presin me padurim letrat e rregulltares së vogël. Por, si është e mundur!
Hildegarda, abatesha e kuvendit të Rupertsbergut, pranë Bingenit, është grua e pazakontë. E lindur më 1098 nga një familje fisnike, nis t’i çuditë prindërit që kur ishte fare e vogël. Dukej se kishte një lidhje krejt të veçantë me Hyjin, shihte vegime e dinte gjëra që as të rriturit nuk arrinin t’i kuptonin … Duke e parë se ishte e pajisur me këto dhanti, prindërit vendosën ta çojnë në kuvend, ndonëse ishte ende krejt e njomë. E pikërisht këtë dëshironte Hildegarda e cila, sapo mbushi moshën e duhur, bëri menjëherë kushtetet e përjetshme. Vite me radhë i pati folur për vegimet e saj vetën mikeshës, që e priti kur arriti së pari në kuvend. Por, në vitin 1141, Hildegarda mori një urdhër tronditës. Në mes të një drite të madhe, një zë i kërkoi ta shkruante çdo gjë që shikonte e që dëgjonte, për t’ua bërë të ditur edhe njerëzve të tjerë.
Kështu filloi të shkruante librin e saj të titulluar ‘Scivias’, shkrim misterioz e mahnitës, që e bëri të famshme në mbarë Evropën. Iu deshën dhjetë vjet punë për ta përfunduar. Kur e lexuan autoritetet e Kishës, u çuditën: menduan se murgesha që e kishte shkruar, duhet të ishte e çmendur, ose gënjeshtare. Por mosbesimi nuk zgjati shumë: lexuesit, duke filluar nga vetë Papa, i tërhoqi në mënyrë të pakundërshtueshme forca e këtij libri kaq të veçantë. U kujtuan se kjo murgeshë, në sajë të afërsisë së saj me Hyjin, mund t’i ndriçonte e t’i ndihmonte të qeverisnin më mirë. E kështu shumë nga lexuesit nisin letërkëmbimin me Hildegardën. Abatesha, e vetëdijshme për misionin që i qe caktuar nga qielli, pranon të këshillojë mbretër, princa e papë, madje nuk ngurron t’i qortojë ashpërsisht, kur janë të padrejtë ose tepër krenarë.
Kur përfundon shkrimet, Hiledgarda kompozon muzikë. Është e vetmja grua muzikante e epokës. Këngët e saj janë si libri: të hyjnë thellë në zemër e zemra nis e këndon. Murgesha vegimtare ka edhe një kopsht të vogël, në të cilin rrit bimë mjekësore, që shërbejnë për të mjekuar të gjitha llojet e sëmundjeve. Edhe sot e kësaj dite njohuritë e saj farmaceutike, i çudisin specialistët e kësaj fushe. Hildegarda është, sigurisht, grua e jashtëzakonshme, e pajisur me të gjitha talentet që mund të dëshirojë zemra njerëzore. E duke i zhvilluar të gjitha, ndriçon Evropën e shekullit të saj, pa dalë kurrë nga muret e ngushta të kuvendit .







All the contents on this site are copyrighted ©.